Një ditë pas dorëheqjes si ministër i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur për emisionin ‘Java në RTSH’ duke e quajtur vendimin e tij si një hap prapa sa i përket angazhimit politik.
Lleshaj iu përgjigj edhe spekulimeve se vendimin për dorëheqjen e ka marrë që në shtator, pas përplasjeve me kryeministrin.
“Nëse gjërat do të ecnin në rrjedhën normale të jeni të sigurt që nuk do ta dorëzoja detyrën dëri në ditën e fundit të mandatit. Sigurisht që thashethemet në Tiranë gëlojnë, por marrëdhëniet e mia me kryeministrin kanë qenë mëse të mira që nga dita e parë. Këto marrëdhënie vijojnë të jenë të tilla dhe nuk ka arsye pse të ndryshojnë. Dorëheqja ime ka ardhur si reflektim i imi” – tha Lleshaj.
Ai komentoi edhe marrëdhëniet me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu. Lleshaj tha se bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer dhe nuk ka çeduar asnjë moment. Sipas ministrit të dorëhequr, për sa kohë janë zbatuar politikat e MB, marrëdhëniet e punës cilësohen si të suksesshme.
“Dorëheqja e parevokueshme ka pasur qëllim që të mos leja asnjë barrë vendimarrëse te Kryeministri. Ndërsa me familjen e viktimës nuk kam marrë kontakte, por kam krijuar përshtypjen se është një familje jashtëzakonisht e lartë. Por intentsitet i këtyre ditëve më ka bërë të mos shkoj për vizitë. Besoj se do të shkoj të pi një kafe tek ajo familje privatisht” – tha Lleshaj.
Në studion e “Java në RTSH”, Sandër Lleshaj u pyet edhe për informacionet që qarkullojnë për sulme të rënda në Tiranë.
“Dëme te pjesshme mund të bëjë kushdo. Çdo i çmendur. Por asnjë rrezik nuk ekziston dhe nuk mund te ekzistojë në kuptimin e sigurisë së përgjithshme të vendit. Sigurisht ka disa persona të gënjyer, të manipuluar, të keqpërdorur apo të droguar në disa raste. Një pjesë e protestuesve është e paguar nga ata që kanë interes për të kthyer në kauzë politike një mort tragjik. Por sfera e dëmit apo ndikimit të tyre do të jetë në kufijtë e të kontrollueshmes. Sepse qytetarët respektojnë parimet e bashkëjetesës dhe ligjet dhe distancohen nga aktet e tilla” – tha Lleshaj.