Protestuesit e shpërndarë si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës përpara ambienteve të kryeministrisë, janë rigrupuar dhe po zhvendosen drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Të rinjtë të shumtë në numër nën thirrjet “Drejtësi për Klodianin”, janë në lëvizje të vazhdueshme dhe po shkatërrojnë gjithçka që u del përpara.
Gjatë zhvendosjes së tyre ata kanë filluar të dëmtojnë dhe bizneset anas rrugës në Unazën e Tiranës.
Kujtojmë se dy ditët e fundit protesta të dhunshme kanë përfshirë kryeqytetin si shprehje e revoltës ndaj vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Protesta e të martës u shoqërua me një konfrontim fizik mes protetuesve dhe forcave policore, si dhe zemërimi qytetar solli sulmimin e institucioneve më të rëndësishme në vend, si Ministria e Brendshme dhe kryeministria.
Ditën e djeshme përplasjet e para mes uniformave blu dhe të pranishmëve në tuim u regjistruan pak pasi kryeministri nisi fjalimin e tij drejtuar qytetarëve. Në ato momente turma e irrituar u përplas me uniformat blu, të cilët iu kundërpërgjigjën në mënyrë të menjëhershme me gazlotsjellës.
Gjatë fjalimit të tij Rama njoftoi se ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i kishte paraqitur dorëheqjen pas ngjarjes të rëndë. Gjithashtu numri 1 i qeverisë deklaroi se vrasja e 25-vjeçarit është një episod i shkëputur dhe nuk paraqet frymën e Policisë së Shtetit.
Por mesa duket as dorëheqja e ministrit nuk i ka qetësuar protestuesit të cilët po vijojnë të organizojnë tubime të njëpasnjëshme, dhe kësaj here ata kërkojnë larfgimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, kërkesë të cilën kryeministri Rama e ka refuzuar kategorikisht.
Protesta e njëpasnjëshme vijnë si produkt i ngjarjes së rëndë të mesnatës së dtitës së martë, ku një efektiv policie qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodia Rasha 50 metra larg oborrit të shtëpisë së tij, pasi i riu nuk iu përgjigj thirrjeve për të ndaluar. Rasha gjeti vdekjen nga 2 plumba pas shpine, teksa përpiqej të largohej me shpejtësi, ndërsa efektivi që kreu vrasjen u arrestua në orët e mëvonshme. Në deklaratën që ai dha para SHÇBA u shpreh se ‘iu duk se i riu kishte armë’./a.p