Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi sot çerdhen nr. 16 e cila është rionkosntrutuar me ndihmën e biznesit. Kryebashkiaku Veliaj tha se bashkia e Tiranës po harton një buxhet ambicioz, pasi Tirana ka nevoja më të mëdha për çerdhe, kopshte e shkolla.
“Ne kemi planifikuar një buxhet shumë ambicioz për vitin 2016, sidomos për shkollat, ku nevoja është më e madhe, tashmë që 31 çerdhe janë adoptuar dhe ne kemi vënë sot në vijë pjesën më të madhe të arsimit parashkollor, por besoj se iniciativa jonë për shkollat ku duam që të futemi edhe në një partneritet publik-privat për të gjitha shkollat e Tiranës është ambicia jonë më e madhe për buxhetin e vitit 2016” ka thënë Veliaj.
Veliaj ka gjetur rastin që të falenderojë të gjithë ata që janë bërë pjesë e iniciativës së drejtuar prej tij, duke theksuar se qyteti ka nevojë për mbështetjen e të gijthëve.
“Ne kemi kuptuar se kur jemi bashkë, bëjmë gjëra shumë të bukura dhe kur bashkëpunojmë, si institucionet e Bashkisë, si institucionet e qeverisë qendrore, komuniteti i biznesit, atëherë tregojmë se jemi realisht qytet. Qyteti nuk përbëhet nga banorët, qyteti përbëhet nga qytetarët dhe një qytetar është më shumë se një banor, sepse një qytetar nuk mendon vetëm si do zgjidhë hallet e veta, por si do t’i japë diçka mbrapsht komunitetit” ka theksuar ai.