Presidenti kinez Xi Jinping u angazhua të mërkurën për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Europë “pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare”.
Gjatë një bisede telefonike me homologun e vet francez Emmanuel Macron, presidenti kinez shprehu gjithashtu shpresën se pala europiane do të ndjekë politika pozitive lidhur me Kinën. “Ne respektojmë zgjedhjen që bëjnë vetë të gjitha vendet lidhur me rrugën e tyre të zhvillimit,” tha Xi.
Ai u bëri thirrje të dy palëve që të bashkëpunojnë për të nxitur negociatat e marrëveshjes së investimeve dhe të ruajnë dialogët e nivelit të lartë mbi mjedisin, klimën dhe digjitalizimin, duke i ngritur marrëdhëniet kino-europiane në një nivel më të lartë.
Xi tha se të dy vendet kanë konsensus për të ruajtur multilateralizmin, sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb, dhe rendin ndërkombëtar të bazuar mbi ligjin ndërkombëtar.
Nga ana e tij, presidenti Emmanuel Macron u shpreh se Franca i vlerëson lart marrëdhëniet me Kinën dhe është i gatshme të thellojë bashkëpunimin me palën kineze.
Për sa u përket lidhjeve në të ardhmen, të dy liderët arritën marrëveshje mbi prodhimin e vaksinave të COVID-19, biokultivimin, kërkimet hapësinore, sportin, shkëmbimet njerëzore, si dhe tregtinë.