Ish-gjyqtari i Apelit në Tiranë, Gjin Gjoni, i cili dha dorëheqjen nga drejtësia në korrik të këtij viti nga frika e Vetingut, ka pasur lidhje me njerëz të krimit të organizuar si dhe është përfshirë në afera korruptove, duke favorizuar njerëz të krimit në procese gjyqësore, në këmbim të përfitimeve të paligjshme. Ky është konstatimi i Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, në një raport sekret, hartuar për llogari të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të Vetingut. DSIK rezulton se ka prodhuar dy raporte për Gjin Gjonin.
Në 2 nëntor 2017, DSIK i ka dërguar një raport KPK-së, duke konstatuar se Gjin Gjoni ishte i përshtatshëm për të vijuar të shërbente në drejtësi. Gjatë hetimit të thelluar, Komisioni i Vetingut ka konstatuar të dhëna të reja komprometuese për Gjin Gjonin, duke i referuar në DSIK. Në këtë rrethana, DSIK i ka hartuar një raport të dytë për pastërtinë e figurës së Gjin Gjonit, duke konstatuar se ish-gjyqtari ishte i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Raporti i dytë negativ i është dërguar Komisionit të Vetingut 17 janar të vitit 2019, ndërsa Gjin Gjoni dha dorëheqjen nga drejtësia disa muaj më pas, fillimisht me pretendimin se Vetingu ishte politik dhe më pas se do të kandidohej për deputet nga Partia Demokratike.
Në raportin e dytë thuhet se për Gjin Gjonin janë administruar “informacione kofidenciale apo informacione të tjera, nga të cilat mund të ngihen dyshime të arsyeshme për përfshirje në veprime të kundërligjshme, kryesisht atë të korrupsionit aktiv apo pasiv për shkak të funksionit të tij”. DSIK flet për disa raste ku Gjin Gjoni pretendohet që është përfshirë në veprimtari të paligjshme.
“…Mbi bazën e të dhënave të vitit 2006 dhe 2012…për subjektin e rivlerësimit Gjin Gjoni ngrihen dyshime të arsyeshme se gjatë një procesi gjyqësor ka ndihmuar/favorizuar, kundrejt përfitimit të paligjshëm, një shtetas…, të përfshirë në krim të organizuar. Gjithashtu, në vitin 2006 dhe 2011 disponohen të dhëna ku thuhet se Gjin Gjoni ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krime të organizuar….si dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj peronave që ushtrojnë funksione publike”, thuhet në raport.
Sipas raportit të DSIK, që nga viti 1994 dhe në vazhdim, periudhë gjatë të cilës Gjin Gjoni ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, deri në vitin 2009 në shkallën e parë dhe më pas në Apel, ka të dhëna në ngarkim të tij për “veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas raportit, të dhënat e bëjnë Gjin Gjonin një person që mund të vihet lehtësisht në presion nga strukturat kriminale.