Pas vrasjes së të riut nga një efektiv i Policisë së Tiranës, Lulzim Basha ka frymëzuar kë ka mundur për ta nxjerrë në shesh. Protesta e së mërkurës në fakt nuk prodhoi asnjë arritje politike të PD-së, përveçse dhunë ndaj policëve që u përballën me militantët apo dëmtime të godinave qeveritare e dekorit të festave.
Në përfundim, kreu i demokratëve ka tentuar ta mbajë gjallë sa më gjatë flakën e protestës. Përmes rrjeteve sociale Basha është shprehur se kryeministri dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj duhet të jepnin dorëheqjen pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Për të mos i ngrënë hakun, po e citojmë të plotë: “Kryeqeveritari, vartësi i tij që po të kishte pasur një fije dinjitet do të kishte dhënë dorëheqjen, apo po të kishte pasur një fije dhembshuri kryeministri, duhet ta kishte shkarkuar atë edhe drejtorin e përgjithshëm të policisë por nuk ka mundësi ta bëjë këtë, sepse frymëzuesi i këtij brutaliteti, kësaj arrogance, kësaj shpërfilljeje për dinjitetin, për jetën njerëzore, për jetën e të rinjve është vetë ai. E keqja ka shkuar në palcë ndaj duhet shkulur me rrënjë”.
Këto fjalë vijnë pikërisht nga personi që 9 vite më parë ishte ministër i Brendshëm dhe policia që ai komandonte u mori jetën Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Të katërt me duar në xhepa, kryesisht të filmuar edhe nga kamerat. Vrasje LIVE dhe gjakftohta. Ndërsa paraardhësi i Lleshajt, Lulzim Basha, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen, por shkoi më tej. Për ata që s’e mbajnë mend: Nuk dorëzoi autorët e vrasjeve që ia kërkonte Prokuroria dhe detyroi mjekët e Spitalit Ushtarak t’i mbanin iso këngës së Berishës, se protestuesit u vranë me thika me helm mes njëri-tjetrit.
(JavaNews / a.rada)