Gjatë vizitës së punës në Berlin, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të politikës gjermane.
Meta u prit në një takim nga Sekretari i Përgjithshëm i CSU-se, Andreas Scheuer, me të cilin diskutoi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe veçanërisht mes Shqipërisë dhe Landit të Bavarisë.
Gjatë takimit, Meta theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bavarisë kanë një traditë të hershme, të nisur me vizitat e ish-kryeministrit Shtraus në vitet ‘80 dhe të forcuara në vite. Ai vlerësoi interesin e biznesit dhe kompanive bavareze për të investuar në Shqipëri dhe nënvizoi faktin se ka ende shume mundësi të pashfrytëzuara që janë një potencial i madh për ta zhvilluar me tej këtë bashkëpunim.
Scheuer vlerësoi rëndësinë që ka Shqipëria në rajon si një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e tij dhe theksoi se Landi i Bavarisë ka një interes të veçantë për Ballkanin në këndvështrim edhe të procesit të Berlinit dhe interes në rritje të bizneseve bavareze për të investuar në Shqipëri.
Më tej, Meta u takua me Zëdhënësin për Politikë të Brendshme të grupit CDU/CSU në parlamentin gjerman, Stephan Mayer, me të cilin diskutuan për situatën e sigurisë dhe krizën e refugjatëve. Kryetari i Kuvendit e informoi për masat që ka marrë Shqipëria për dekurajimin e emigracionit ilegal në drejtim të Gjermanisë dhe e falënderoi për bashkëpunimin mes agjencive të zbatimit të ligjit të dy vendeve.
Në takimin me Joachim Pfeiffer, zëdhënës i grupit CDU/CSU për Ekonominë dhe Energjinë, Meta diskutoi për zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe rajon, sigurinë energjetike dhe mundësitë e biznesit gjerman për të investuar në Shqipëri.
Meta theksoi se mbështetja e Gjermanisë për zhvillimin ekonomik, infrastrukturor dhe energjetik të Shqipërisë ka luajtur një rol të dorës së parë për rritjen e konektivitetit mes vendeve të rajonit dhe se tashmë falë kësaj mbështetje Shqipëria është e lidhur me rrjete transmetimi të energjisë me të gjithë vendet e rajonit, duke rritur sigurinë energjetike dhe krijuar një klimë më të favorshme për nxitjen e investimeve të huaja dhe atyre gjermane në sektorë strategjike për ekonominë shqiptare.
Kryetari i Kuvendit zhvilloi gjithashtu një takim me deputetin e CDU-së Olav Gutting, ku theksoi se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe Gjermania në veçanti të shtojnë vëmendjen ndaj rajonit dhe të nxisin më tej integrimin e tij në BE. Procesi i Berlinit ka qenë një shtysë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve në nivel rajonal, dhe së është e rëndësishme të kalohet sa më parë në fazën e implementimit të projekteve ekonomike dhe infrastrukturore me impakt rajonal, çka do ta sillte të gjithë rajonin më pranë BE-së.
Takimi i fundit ishte me deputetin e SPD, Dietmar Nietan anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme, me të cilin ndau mendime për situatën e sigurisë së krijuar nga kriza në Lindjen e Mesme, terrorizmin dhe sulmet e Parisit.
Meta theksoi se Shqipëria do të vazhdoje të mbetet një partnere e besueshme në përballjen me ekstremizmin dhe terrorizmin dhe se një qasje e përbashkët është rruga më e mirë për t’u përballur me këtë fenomen.