Nga ARTUR AJAZI
Dita e 8 Dhjetorit, dita simbol e studentëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, nuk është “pronë” e Partisë Demokratike, aq më pak e Sali Berishës apo e Lulzim Bashës. Për afro 30 vjet, Partia e Berishës dhe vetë ai, kanë gënjyer dhe mashtruar shqiptarët dhe shpesh edhe ndërkombëtarët, me pretendimin se “PD dhe ai, përmbysën diktaturën, sollën lirinë dhe demokracinë, dhe nisën Shqipërinë drejt Europës”. Në afro 2 dekada e gjysëm, shqiptarët janë mashtruar dhe bajatosur nga Sali Berisha, (kallauzi) njeriu i Ramiz Alisë, ish-komunisti më fanatik i këtij vendi, që edhe në ditët e fundit të atij regjimi, bënte thirrje për “udhëheqësin”. Dita e 8 Dhjetorit, u përket studentëve, u përket shqiptarëve, dhe atyre që e kuptuan se regjimit të kaluar, i kishte ardhur fundi, dhe jo “kollonës së pestë”, që shkonte në Qytetin Studenti për të “qetësuar gjakrat” dhe për të bindur studentët se “shoku Ramiz kishte vendosur të bënte ndryshime politike pa dhunë”. Dita e 8 Dhjetorit, u përvetësua dhe privatizua nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha, njeriu që pas ardhjes në postin e kryetarit të asaj partie dhe kryesisht pas marrjes së pushtetit në Mars 1992, e shtypi lirinë, i shtypi të drejtat e studentëve, të ish-të përndjekurve, shtypi zërat kundër në partinë e tij, rrahu dhe denigroi njerësit që e akuzonin dhe denonconin, shtypi lirinë e medias dhe ndrydhi me forcën e SHIK-ut opozitarët dhe gazetarët. Dita e 8 Dhjetorit 1990, ishte shkëndija e madhe që Sali Berisha dhe “të tjerët” pas tij, u munduan ta shuajnë, dhe më pas ta privatizojnë. Asgjë nga sa thotë Sali Berisha, nuk ka ndodhur, asgjë nga sa thotë Sali Berisha nuk është e vërtetë, edhe pse në 30 vjet ka arritur të blejë media dhe “moderatorë” që i bëjnë emisione të turpshme, duke u munduar ta konvertojnë atë nga ish-komunist në “pishtar demokracie dhe lider i Dhjetorit”. Në gjithë këto vite, Partia Demokratike dhe Sali Berisha, kanë mashtruar dhe baltosur 8 Dhjetorin, kanë pompuar “heronj” të rremë demokracie, dhe kanë ngritur në piedestal ata që kanë ZERO kontribute në përmbysjen e regjimit të kaluar. Ata rrahën, denigruan, poshtëruan, cilindo që ngrihej kundër Sali Berishës, njeriut që kishte ardhur nga organizatat e Partisë Punës, për të qenë “lideri demokracisë”. Partia e tij, (dhe jo Partia Demokratike e vërtetë) është po aq përgjegjëse sa edhe ai, për shkatërrimin dhe denigrimin e lirisë, të drejtave dhe demokracisë perëndimore në Shqipëri. Askush nuk i harron vitet e tmerrshme 1992-1997, se si falangat e pushtetit të Sali Berishës, shtypnin me dhunë protestat, zërat kundër, se si rrihnin qytetarët, opozitarët, gazetarët, se si SHIK-u famëkeq, merrte ditën dhe natën cilindo që piketohej si “kundërshtar i pushtetit”, dhe keqtrajtohej në zyrat e atij shteti makabër. Dalja e Sali Berishës sot pas 30 vitesh në emisione dhe ekrane për të folur mbi 8 Dhjetorin dhe “përmbysjen e regjimit”, është një turp i madh për ish-studentët, ish-dhjetoristët, ish-themeluesit e Partisë Demokratike, të cilin historia duhet ta ndryshojë.