Eksportet kineze në nëntor u rritën me ritmin më të shpejtë që nga shkurti i vitit 2018, falë kërkesës së lartë botërore për produkte industriale dhe lëndë të parë, sipas të dhënave të së hënës nga Administrata e Përgjithshme e Doganave.
Eksportet u rritën me 21.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke arritur në 268 miliardë dollarë, shifër kjo përtej parashikimit. Një sondazh i “Reuters” parashikoi më herët një rritje prej 12 për qind të eksporteve në nëntor, ndërsa “China International Capital” parashikoi një rritje prej 10.8 për qind.
Importet u rritën 4.5 për qind në 192.6 miliardë dollarë, më ngadalë se rritja e tetorit prej 4.7 për qind, duke çuar në një suficit tregtar prej 75.4 miliardë dollarësh.
“Performanca e eksportit të Kinës tejkaloi përsëri pritshmëritë e tregut, kryesisht për shkak të rritjes së kërkesës nga tregjet e zhvilluara. Të ardhurat dhe shpenzimet e konsumatorit mbështeten mjaftueshëm nga skemat e mëparshme në ShBA dhe Evropën Perëndimore,” tha për CGTN-in kryekonomisti i bankës kineze “Hang Seng”, Wang Dan.
“Presim që rritja e PBB-së të shkojë 7.5 në vitin 2021,” tha Wang.