Gjithçka mund të ketë ndryshuar në PD, si nga forma e organizimit ashtu edhe nga njerëzit.
Ajo që PD ruan me fanatizëm është ceremonia e homazheve në monumentin e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, në Qytet Studenti. Por vetëm ceremonia ama.
Sot në 30 vjetorin e Ditës së Rinisë, nuk pati fjalime si një vit apo dy vite më parë pranë bustit të tij. (Vetëm një aktivitet i organizuar më vonë nga FRPD në Zoom)
Pati vetëm shtrëngim grushtash në kohë Covid-i, shumë pak njerëz (ndryshe nga një vit më parë) dhe mbi të gjitha pak familjarë të Azem Hajdarit.
Në ceremoninë e Azem Hajdarit, kurora vendosën Lulzim Basha, Sali Berisha dhe ndër të paktët që ka respektuar ndër vite figurën e tij, (që ka mbetur ende në PD) Edi Paloka.
Aty nuk ishin më e bija Rudina Hajdari e cila do të garojë me një sigël të re e shkëputur nga PD-ja e as veja e tij, Fatmira Hajdari.
Azem Hajdari iu bashkua këtu e 30 vjet më parë Lëvizjes Studentore, duke u identifikuar më pas si drejtuesi kryesor i saj.
Azem Hajdari më pas u bë kryetar i Komisionit Nismëtar për krijimin e PD-së, por shpejt mbeti vetëm si i vetmi student i atij komisioni.
Emri i tij është përdorur prej vitesh nga PD si kapital politik sa herë përkujtohen data të rëndësishme në vend përfshi edhe ditën e Lëvizjes Studentore. Por vetëm kaq.
Mjafton që t’i kthehemi fotove deri tre vite më parë për të kuptuar se “Azem Hajdari ka mbetur vetëm”, ashtu si 30 vite më parë në fillimin e krijimit të PD-së. (SI)
/a.r