Është ndarë nga jeta mjekja Obsetre-Gjinekologe dhe pedagogja e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Suela Muça.
Akoma nuk është bërë e ditur arsyet e vdekjes së mjekes, e cila humbi jetën në një moshë të re, vetëm 48 vjeçe. Lajmi është bërë i ditur nga Universiteti i Mjekësisë Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta e Dr. Suela Muça, mjekes Obsetre-Gjinekologe dhe pedagoges së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike.
Suela Muça u lind më 7 shkurt 1972. Në vitin 1997 u diplomua në mjekësi pranë Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës dhe më pas në vitin 2002 u specializua si mjeke Obsetre-Gjinekologe. Dr. Muça ka punuar pranë Spitalit Gjinekologjik “Koço Gliozheni”.
Prej më shumë se 10 vitesh Dr. Muça ishte pjesë e stafit akademik të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Ajo ishte e karakterizuar nga sinqeriteti, mirësia dhe përkushtimi i lartë si mjeke dhe pedagoge.
Dhurata Shehri, pedagoge e Letërsisë dhe mikeshë e ngushtë e saj, shkroi një mesazh ngushëllimi, pasi mësoi lajmin e trishtë.
“Për Suelën…
Ca fjalë që nuk mund të t’i thoja më parë
Vjen dita kur mendojmë se jemi plakur mjaftueshëm për ta përballuar vdekjen, sidomos pasi ajo fillon e afrohet te prindërit, te të afërmit, rrethi vjen e ngushtohet aq sa vdekja merr trajta e fytyra të dashura që kthehen papritur në fotografi e copa kujtimesh, në copa jete të ngurta, pa të ardhme.
Me Suelën ka vite e për vite me rradhë ndamë netët pa gjumë, sekretet e para të dashurisë, notat dhe prapësitë, zënkat dhe pajtimet, shpresat e zgënjimet, lotët dhe ëndërrimet, sidomos ëndrrat i jetuam bashkë një copë herë, ti gjithmonë me pak fjalë, sa dukej sikur doje t’i ruaje për vete, sikur kishe frikë të ëndërroje me zë të lartë.
Suela, që priti e para fëmijën tim, që më mësoi se sa pak lumturi ka njeriu në jetë deri sa bëhet nënë, ma dhuroi lumturinë më të madhe, por nuk më mësoi si ta përballoj edhe këtë, largimin e saj, megjithëse u përpoqe shumë Suelë. Ti më dhe paqen për ta jetuar jetën edhe me vuajtje, ndonëse kurrë nuk më tregove sa vuaje.
Jetove fort, deshe fort, të deshëm e të duam fort.
Ne ishim tre, përherë tre, Entela anash, Suela në mes, unë në krahun tjetër, rreshtim i përhershëm dhe, ngado ta nisje numërimin Suela në mes, në mes për të na mbajtur të dyjave, me zërin e ulët që mund ta dëgjonim të dyja, në mes, për ta mbrojtur. Po ja që nuk ia dolëm, Suelë. Për tridhjetë e sa vite u përpoqe të na mësoje si të jemi të forta me butësinë tënde, por kurrë nuk e besova, deri dje, që filli u këputka edhe aty ku është më i fortë.
Mirupafshim Suelë, do të të kujtoj sa herë të jem duke ecur. Në krahun e djathtë askush nuk do të ta zerë vendin, për atë copë rrugë që bëmë bashkë dhe për atë rrugë që më pret deri sa të takohemi sërish.
Gjithsesi ne jemi prap tre…
/a.r