Frrok Çupi
Përballë nesh, përballë ligjit, përballë maxhorancës, përballë parlamentit, përballë reformave…, pastaj edhe përballë njëra tjetrës. Kudo… Këto janë 6 a 7 a 8 a 9 opozitat.
Sot përfaqësitë diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian u gjendën përballë opozitave që i kanë zënë rrugën formimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Reformës në Drejtësi. Ambasadorja Yuri Kim u detyrua të bëjë thirrje që ‘brenda kësaj jave’ të paraqiten emrat e të propozuarve për në Gjykatën Kushtetuese. Me KED është manipuluar që nga presidenti e deri te opozitat e fshehura.
Deri këtu dy aleatëve të mëdhenj të kombit, u është dashur të përballen me marifetet ‘opozitare’.
Nëse opozita, normalisht, lind si rrjedhojë e një përfaqësimi dhe e një ideje, në vendin tonë opozitat kanë lindur këto tre a katër vjet si një procesion që varet te Drejtësia: duke penguar drejtësinë rrojnë, duke u varur te drejtësia- vdesin.
Vetë presidenti i republikës është një opozitë:
Ai ka shkelur mbi Republikën dhe ka dalë në rrugë. Nëse në vendin tonë do të instalohet Drejtësia, atëherë Ilir Meta ka për të dhënë llogari herë si individ, herë si ministër, herë si kryeministër, herë si kryetar i Kuvendit. Obobo, sa shumë ‘personalitete’ ka ky brenda vetes… Po kaq herë i duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe po kaq herë do të ndërtojë opozitë.
Partia e tij LSI bën si ‘qeveri e vjetër’, por mban stolin deri kur do t’i duhet të dalë në shesh e të djegë qytetin ditën kur të thërritet kryetari Meta para Drejtësisë. Gjatë kësaj kohe karakollin e mban e shoqja, që herë është mama me fëmijët në Londër e herë zonjë e parë këtu. Gjatë gjithë kohës, të dy- burrë e grua, bëjnë sikur janë opozitë e njëri tjetrit. Gruaja e Millosheviçit, Mira (edhe ajo me mbiemrin e babait- Markovic), ditët kur i shoqi po fundosej për shkak të krimit, shfaqi fizionominë e liberales, u vu në krye të partisë dhe bëri gati valixhet drejt Moskës.
Kryemadhi merr e jep mes të shoqit dhe liderëve të opozitave të tjera, me qëllim që herë të afrohet e herë të kërcënojë. Përballë pandemisë së koronavirusit kjo mbajti pozitën ‘pa maska’, që do të thoshte ‘le të vdesin sa të duan’. Ndërsa i shoqi u vesh me maskë, por kritizer ndaj çdo gjëje. Lulin e lanë të shtonte numrin e të vdekurve- si opozitë e fortë që do të marrë pushtetin nekrofilisht.
Situatën më të vështirë e kanë me Lul Bashën e PD. Ky vetë ka një ‘parti’ të tij brenda PD; partinë që ka si ‘cause’ të qëndrojë aty pa bërë hap përpara, por të mos dorëzohet as te Meta as te Berisha.
Brenda PD, që prej njëzet e ca vjetësh, ekziston ‘grupi i zjarrit’, i cili thërritet në aksion sa herë liderët ndjehen se mund të djegin institucionet e shtetit dhe pasurinë e qytetarëve. Meta, në fillim te vitit, u detyrua të denoncojë se ‘grupet e armatosur na vijnë nga Kosova’, ku aludonte për Berishën si lider i grupeve. Lul Basha është aty vetëm për të mbajtur vulën ‘PD’ me qëllim që të mos e marrin në dorë ‘skuadrat e molotovëve’. Edhe kjo një opozitë tjetër brenda PD. Të tjerët që mbahen si liderë janë ‘opozitë’ edhe me vetë Amerikën; liderët kryesorë të PD dhe LSI janë persona ‘non grata’ në Shtetet e Bashkuara.
Partitë e reja që dolën nga PD po ndiqen këmba këmbës nga vetë PD, për t’i asgjësuar. Askush nuk kursen askënd brenda të të njëjtit stan. Të dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, zonja Topalli dhe zoti Patozi që krijuan parti të reja por me orientim ‘demokratik’, janë të pushkatuarit e fundit brenda radhëve. Me motivin ‘kush nuk është me mua është armiku im!’, ka lindur dhe është rritur Partia Demokratike, që tashmë ka mbetur vetëm si jehonë e një të shkuare. Prej partisë u eliminuan Azem Hajdari (heroi), Gramoz Pashko (ideatori dhe krijuesi i vërtetë), Leka Meksi (kryetar i parë dhe i kryqëzuari në post)…, të gjithë me radhë derisa mbeti fundi i kazanit.
… Të gjitha ‘opozitat’, sado që të jenë: 6, 7, 8 a 9, varen te Drejtësia, për të cilën bëri thirrje prapë sot Perëndimi. Nëse do të nisë të funksionojë Drejtësia, atëherë kryetarët e tmerrshëm mund të intervistohen vetëm nga gazetarët e kronikës që e kanë emrin të shënuar në protokollin e Gjykatës. Është njësoj si krimbi që ha degët e pishave, dhe që quhet ‘procesionare’; quhet kështu sepse ka një proces, lindin miliona në ditë, por vdesin milionat nëse njeriu pret degën e vogël të pishës me atë fshesën e bardhë…
Ja kështu./a.p