Nëse duan që të shohin ndryshime të mëdha, shqiptarët duhet ta bëjë këtë vetë me anë të votës dhe jo të presin rezultatet nga reforma apo udhëzime të ndërkombëtarëve.
Kështu është shprehur aktivisti Gjergj Bojaxhiu, në një bisedë me gazetaren Juli Xhokaxhi rreth garës për Gjykatën Kushtetuese dhe “ngërçit” për t’u anëtarësuar në BE.
Bojaxhiu u shpreh se në “rrjetën” e vettingut kanë rënë vetëm ata që kanë abuzuar qartazi, ndërsa kanë mbetur pjesa tjetër që sipas tij janë “hajdutë më të sofistikuar.”
“Vettingu ka hequr vetëm ata që kanë abuzuar qartazi. Hajdutët më të paturpshëm, në tërësi. Nga ato që do mbeten, do mbeten ca që janë të ndershëm, dhe ca që janë hajdutë të sofistikuar.
Ka një problem thelbësor në Reformën në Drejtësi, me mënyrën sesi i është shitur popullatës. Politika nuk pastrohet me sistem drejtësie. Votuesit e bëjnë me votë, pastaj hyn në lojë gjyqësori.”
Më tej, Bojaxhiu theksoi se nëse nuk e ndajmë hajdutin nga njerëzit e ndershëm me votë, nuk mund të presim që këtë ta bëjnë gjyqtarët.
“Nëse shqiptarët presin të ndryshojë gjithçka, kjo bëhet me votë.”
Ndërsa, sa i përket negociatave për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të vendit, aktivisti tha se është pothuajse e sigurt që ky proces nuk nis.
“Shqipëria dhe vendet e BE e dinë që fakti që formalisht i ke bërë gjërat, nuk do të thotë që i kemi zgjidhur….Dashamirësi kryesor i joni, s’ka mundësi t’i bindë të tjerët. Ne si shoqëri, si shtet, kemi mjaftueshëm probleme sa u japim pretekst këtyre shteteve.”
Gjergj Bojaxhiu theksoi po ashtu, se negociatat BE nuk do t’i hapë për Shqipërinë, as në dhjetor dhe qas në mars.
“Nuk mendoj se BE do ta marrë vendim para zgjedhjeve…Fakti që kemi një korrupsion kaq të dukshëm, kjo tregon që nuk ka për të ndodhur që t’i zgjidhim problemet tona teknikisht. Kemi 28 vite që bëjmë çfarë na thonë të huajt..formalisht.”
Në zgjedhjet e 25 prillit, Bojaxhiu tha se fletën e tij të votimit do ta bëjë të pavlefshme. Kjo pasi, siç tha ai, nuk ka alternativa që ia vlejnë të zgjidhen.
“Votimi do bëhet, votat do të numërohen. Unë vetë, do t’i vë kryqin fletës. Nuk kam në plan të votoj asnjë palë që thotë unë do vjedh më pak. Për këtë gare nuk kam ndërmend të kandidoj…”
/a.r