Një grup tifozësh të Tiranës ia kanë nxjerrë autobusit të Partizanit inatin për humbjen kundër Skënderbeut. Panorama Sport shkruan se një grup prej 30-40 tifozësh bardheblu kanë hasur me autobusin e të kuqve pranë kryqëzimit midis stadiumit “Selman Stërmasi” dhe rrugës “Komuna e Parisit”. Autobusi kishte ndaluar aty për shkak të trafikut.
Sapo panë autobusin e skuadrës rivale, tifozët e Tiranës nisën të shajnë në kor lojtarët, por incidenti e tejkaloi masën kur disa filluan të gjuanin edhe me gurë, duke thyer xhamat.
Një akt i tillë nuk është toleruar nga lojtarët e Partizanit, të cilët dolën me shpejtësi jashtë për t’u konfrontuar me tifozët kundërshtarë. Njëri prej tyre, mbrojtësi Ditmar Bicaj, ka pasur edhe një shkop në dorë.
Tifozët agresorë janë larguar me vrap, ndërkohë që edhe dy policë të ndodhur aty pranë ndërhynë për të qetësuar situatën.
Sipas Panorama Sport, është hera e tretë që tifozët e Tiranës sulmojnë simbolet e klubit Partizani.