Pas disa muajsh pa skuadër, Mario Balotelli do ta nisë nga Seria B, pasi ka arritur marrëveshjen me dyshen Berlusconi-Galliani për t’iu bashkuar skuadrës që ata kanë në pronësi, Monzës.
Nesër sulmuesi 29-vjeçar do të kryejë testet mjekësore dhe nëse gjithçka do të shkojë mirë, atëherë do të firmosë një kontratë deri në fund të sezonit me Monzën, me opsionin për rinovimin edhe një vit tjetër.
Vetë Balotelli nuk e ka fshehur kënaqësinë që më në fund do të ketë mundësinë të luajë sërish në fushë dhe ka falënderuar publikisht presidentin Berlusconi e administratorin Galliani për shansin që i dhanë.
“Falënderoj presidentin Berlusconi dhe Adriano Gallianin për këtë mundësi që më dhanë. Do të bëj gjithçka në fushën e lojës, për të ngjitur Monzën menjëherë në Serinë A”, tha Balotelli për mediat italiane.
Sulmuesi është rritur te moshat e Lumezzanes, ndërsa në verën e 2007-ës u transferua te Interi ku luajti për 3 sezone dhe dëshmoi se është një nga të rinjtë më premtues, por karriera e tij nuk vazhdoi aspak mirë.
Ndër vite Balotelli ka veshur fanellat e skuadrave si Manchester City, Liverpool, Milan dy herë, Nice, Marseille e Brescia, por më shumë ka tërhequr vëmendjen për bëmat në jetë, sesa performancën në fushën e lojës.