Spitali Moscati në Taranto, të Italisë është i mbingarkuar nga vala e dytë e koronavirusit, por mbi të janë ngritur edhe polemika për keqtrajtimin e pacientëve me COVID, po ashtu edhe zhdukja e sendeve personale të tyre.
Tashmë pas dëshmive të të afërmve, hetuesit po synojnë të zbardhin të paktën 7 vdekje. Sipas akuzave të tyre, unazat e martesës, gjerdanët dhe sendet e tjera me vlerë gjithashtu janë zhdukur nga spitali, dhe personeli shëndetësor ka punuar gjithashtu për të fshehur provat nga celularët e pacientëve.
Dëshmitë janë tronditëse.
“Nëna ime u shtrua në spital disa ditë më parë pasi kishte probleme me frymëmarrjen. Ajo u keqtrajtua nga disa punonjës, të cilët nuk e ndërruan për orë të tëra.
Asaj gjithashtu nuk iu dha ushqim dhe dy ditë pas vdekjes së saj ne kuptuam se çantës i mungonte unaza e martesës dhe një unazë tjetër, të cilën ajo e mbante kur hyri në spital”, shpjegoi Tina Abanese për Repubblica.
Nga ana tjetër, babai i Donato Ricci, para se të vdiste mësohet se kishte bërtitur “thirr policinë, më largo nga këtu”.
Rasti tronditës është edhe ai i Francesco Cortese, i cili telefonoi vajzën e tij, duke iu lutur: “Eja dhe më merr, këtu po vdes”.
Teksa fliste në telefon me një mjek, vajzës së tij i ishte thënë: “Babai nuk bashkëpunon, ai nuk dëshiron të vendosë maskën CPAP, ai do të vdesë për dhjetë minuta, bëhu gati.”
“Ai doktor dukej si një kafshë e egër kundër nesh dhe babait tim. Unë vetëm kisha forcën të pyesja për shumë gjëra dhe si përgjigje mora më shumë britma”, tha vajza.
‘Nuk ka ngrënë, do të shihni që së shpejti do të vdesë!Ai është këtu, ai po më dëgjon mua, ai do të vdesë së shpejti!’ i kishte thënë doktori vajzës së tij, e cila shprehet se “edhe veterinerët me qente nuk sillen në këtë mënyrë. Atij nuk iu dha asnjë terapi, vetëm oksigjen, vetëm CPAP.”
Lidhur me akuzën e vjedhjes dhe zhdukjes së sendeve personale, Kompania lokale e kujdesit shëndetësor u përgjigj duke folur për “një ngjarje të pakëndshme, por të mundshme, veçanërisht gjatë procedurave të urgjencës ose radiologjisë diagnostike, pasi është e nevojshme të hiqet çdo objekt metalik i veshur nga pacientët”.
Sipas tyre në përgjithësi, të gjitha objektet futen ne “kasaforta dhe zona të dedikuara në të cilat renditen dhe ruhen sende të vogla me vlerë dhe efekte të tjera personale të pacientëve të marrë në kujdes në rrugën e kujdesit”.