Teoritë e konspiracionit dhe keqinformimi nxisin mosbesimin te vaksinat dhe mund të ulin nivelet e vaksinimit për Covid-19 në Amerikë dhe Britani nën normat e nevojshme për të mbrojtur komunitetet ndaj sëmundjes, thuhet në një studim të publikuar të enjten.
Studimi, ku morën pjesë 8000 njerëz nga të dyja vendet, zbuloi se më pak njerëz do ta “bënin patjetër” vaksinën sesa vlerësimi i shkencëtarëve, sipas të cilëve është e nevojshme që vaksinën ta marrë 55% e popullsisë për të siguruar të ashtuquajturin “imunitet të tufës”.
E ndërkohë, e shpejtë në maksimum për dhënien e dritës jeshile u tregua Mbretëria e Bashkuar, e cila për çështje orësh pret shpërndarjen e 40 milionë dozave të vaksinës nga Pfizer dhe BioNTech.
Për këto zhvillime foli në A2 nga Londra eksperti i shëndetit publik, Laidon Shapo, i cili tha se nuk duhet të ekzistojë frika për të bërë vaksinën, pasi i ka kaluar të gjitha testet dhe është e sigurt.
“Çdo proces vaksinimi ka hasur probleme, duke u gjykuar nga popullata. Efektshmëria e vaksinës, siguria e saj, janë trajtuar me shumë kujdes nga autoritetet në Britaninë e Madhe. Vaksina u pa në fazën e fundit, me një efektshmëri 95% tek të gjitha grupmoshat, kjo tregon se nuk ka arsye nga popullata për të qenë e frikësuar nga efektet. Efektet anësore, të tipit psikologjik, lidhen me faktin se vaksina është e re. Problemet qëndrojnë vetëm në transportimin e vaksinës, e cila duhet të qëndrojë në temperatura shumë të ulëta”.