Nga ARTUR AJAZI
Shqipëria e pas 25 Prillit 2021, ka nevojë urgjente për një opozitë të përgjegjshme, të kuptueshme, bashkëpunuese, pra të jetë gjithëpranuese.Koha dhe situata nëpër të cilën po kalon vendi, kërkon një bllok të qëndrueshëm politik, për të treguar se sfidat janë të përbashkëta,dhe jo vetëm të qeverisë. Edi Rama ka dhënë prova të mjaftueshme dhe vazhdon ti bindë shqiptarët se “edhe në mandatin e tretë qeverisës, e vetmja rrugë që do të sigurojë fitoren mbi krizën dhe pandeminë është bashkimi dhe jo ndarja, puna dhe jo parazitizmi”. Fakti është se opozita e vjetëruar sa s’ka më, ka vite që bën rolin e përçarësit, dhe duke nxitur parazitizmin tek shqiptarët. Këtë gjë po e vërteton fushata e Lulzim Bashës. Partia Demokratike dhe bishti i shkurtabiq i saj, Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë konsumuar tanimë gjithçka duhej për ti treguar popullit dhe faktorit ndërkombëtar,se vija politike dhe kërkesa e tyre për të synuar marrjen e pushtetit jo me votën e lirë, por me ultimatume ekstremistësh, janë shkaqet kryesore për degradimin funksional të një aleance, e cila kurrë nuk u ngrit mbi parime dhe ideale kombëtare.Vendi pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, ka nevojë për një opozitë të pranueshme nga votuesit e saj, ka nevojë për një opozitë e cila deri në fund të jetë zëri dhe përfaqësimi real i votuesve të saj në institucionet kushtetuese. Ata që dje votuan opozitarët e bojkotit dhe rrugës, ndoshta nuk e kishin menduar se kishin futur në Parlament, karrieristë, pazarexhinj, dhe kukulla të një njeriu të vetëm që partinë dhe opozitën e ka kthyer në çiflik të klanit dhe familjes tij. Shqipëria sot po vuan nga mungesa e një opozite ambicioze përsa i përket vizionit mbi të ardhmen, nga mungesa e një opozite dritëshkurtër, e cila pushtetin e ka të lidhur me pazaret dhe aferat e kryetarit, e një opozite që në mentalitetin e saj ka akoma “grushtin e shtetit dhe hakmarrjen klasore”.Shqipëria e pas 25 Prillit 2021, nuk mund të shihet më nga ndërkombëtarët, si vendi që nuk arrin të sigurojë ekujlibrat e saj të brëndshëm politikë, dhe kjo për shkak të një stature të grisur që mban peng fatin e shqiptarëve prej 30 vitesh, e përfaqësuar nga një ish-opozitë e cila nuk bëhet bashkë as në kohë lufte. Opozita e pas 25 Prillit, nuk duhet të jetë e kompleksuar dhe apatike, pasi duhet të mbledhë mëndjen dhe të bëjë përfaqësimin e saj të besueshëm, të atyre që akoma besojnë se “PD është parti e idealeve të lirisë”. Lulzim Basha duhet ta tregojë me vepra, se e ka seriozisht vendimin e tij për tu larguar si kryetar partie, në rast se humbet zgjedhjet. Pasiguria, pamundësia, hipokrizia, përçarja, dështimi, dënimi dhe shpërbërja, janë kthyer tanimë në norma statutore në opozitën e vjetëruar, edhe pse kërkon të duket “vigane” kur është lilipute e politikës në Shqipëri. Ky vend ka nevojë për demokraci të qëndrueshme dhe funksionale, dhe për pasojë për një opozitë të përgjegjshme që të njohë dhe bashkëpunojë me institucionet kushtetuese, dhe jo për një grupim aventurierësh që fatin e partisë e kanë lidhur me fatin e pushtetit të tyre.