Valéry Giscard d’Estaing, mes viteve 1974-1981 president i Francës, vdiq më 2 dhjetor, në moshën 94-vjeçare. Ndonëse ushtroi vetëm një mandat si president dhe kurrë nuk arriti ta tejkalojë zemërimin pas humbjes nga François Miterrandi më 1981, Valéry Giscard d’Estaing la gjurmë si vizionar në politikë.
Ai ishte aristokrat katolik, por kjo prejardhje nuk qe pengesë për të që të zgjerojë të drejtat e grave dhe hapë rrugën për emancipimin e tyre.
Valéry Giscard d’Estaing legalizoi abortin, lehtësoi qasjen ndaj pilulave kontraceptive, e emëroi Simone Veil ministre të Shëndetësisë (e dyta grua në kabinetin qeveritar të Francës).
Merita të tjera të Valéry Giscard d’Estaing: TGV, treni i shpejtë francez, themeli për valutën e përbashkët europiane, angazhimi për pajtimin mes Francës dhe Gjermanisë, ulja e moshës madhore nga 21 në 18, kufizoi kontrollin shtetëror të televizionit dhe radios publike.
Valéry Giscard d’Estaing në mediat franceze dhe gjermane po kujtohet si vizionar, si modernizues dhe europian i madh.
Për shkak të meritave si autor Akademia franceze e pranoi si anëtar më 2003. Kësisoj ai i përket të pavdekshmëve, les immortels.
Si shumica e presidentëve francezë edhe Valéry Giscard d’Estaing kishte një dobësi: gratë. Në një ditë të vitit 1974 (rreth orës pesë të mëngjesit) ai po udhëtonte me një Ferrari që e kishte marrë me qira dhe befas u përplas me një kamion që bartte qumësht.
Bashkë me Valéry Giscard d’Estaing në veturë ishte edhe një «shoqëruese e bukur». 30 vjet pas kësaj ndodhie, Valéry Giscard d’Estaing shkroi një roman me titullin: «Princesha dhe presidenti».
Në këtë vepër autori ia bënte qejfin vetes duke shkruar për një aferë me princeshën Diana.(E.R)
g.kosovari