Facebook-u do të fillojë të heqë pretendimet e sajuara lidhur me vaksinën kundër COVID-19 nga platforma e tij. Ndër të tjera ka bërë me dije se këto përpjekje ndërmerren në kuadër të një fushate për të luftuar përhapjen e dizinformimit lidhur me vaksinat.
“Kjo është një tjetër formë e zbatimit të politikës sonë për të luftuar dizinformimet lidhur me virusin,” tha Facebook-u.
Gjigandi i medias sociale tha se në javët e ardhshme do të fillojë të heqë informacionin që lidhet me vaksinat, por është diskredituar nga ekspertët e shëndetit publik. Vendimi, i cili ndikon edhe tek informatat që ndahen përmes platformës Instagram, merret ndërkohë që po fillon vaksinimi me vaksinën e parë për parandalimin e COVID-19.
Britania mund të fillojë vaksinimin brenda disa ditësh, pasi u bë vendi i parë që i jep miratim emergjent vaksinës së prodhuar nga kompania amerikane Pfizer dhe firma gjermane BioNTech.
Facebook-u ka marrë hapa të ngjashëm gjatë muajve të fundit. Që nga marsi deri në tetor, kjo kompani ka hequr 12 milionë postime me deklarata të pavërtetuara lidhur me koronavirusin. Ndër to ishte edhe një videoklip i postuar nga Presidenti Trump ku thuhej se fëmijët janë “praktikisht imunë” nga koronavirusi.
/a.r