Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave kanë ndryshuar udhëzimin për tarifat që paguhen për aktet dhe veprimet noteriale në dhënien e pronësisë. Duke qenë se kohët e fundit qytetarët kanë shprehur paqartësi dhe shumë ankesa në lidhje me dokumentet dhe procedurat që ndiqen nga noteritë për regjistrimin e pronave ose edhe kalimin e pronësisë nga një subjekt tek një tjetër.
Në këtë udhëzim të publikuar dje në Fletoren Zyrtare janë përfshirë disa tarifa për shërbime të reja që nuk parashikoheshin në atë të mëparshmin, siç është verifikimi online i gjendjes juridike të pronësisë në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme. Konkretisht për këtë shërbim subjekti do të paguajë 600 lekë, ndërsa këtu shtohen edhe 700 lekë shqyrtimi dhe konsultimi i kartelës që përmban të gjitha të dhënat e pasurisë për të cilën do të bëhet vërtetimi. “Tarifa për verifikimin online dhe vërtetësinë e pronësisë do të jetë 600 lekë, si dhe konsultimi i kartelës së pasurisë dhe të dhënave të tjera të pasurisë së paluajtshme me tarifë 700 lekë. Nga zyrat noteriale fillimisht do të bëhet një kërkesë për regjistrimin e veprimeve juridike në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (AKSH) dhe tarifa për këtë shërbim do të jetë 4,000 lekë”, thuhet në dokument.
Ndryshimet synojnë që edhe zyrat e noterit të funksionojë, si një pikë shërbimi e vetme pas kërkesës për regjistrimin e veprimeve juridike në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, për të shmangur gjithashtu zvarriten e pronarëve nëpër zyra për verifikime dhe vërtetësi me noterim të pronës së tij. “Edhe për rastet e kalimit të pronësisë të paluajtshme kontrata që bëhet te noteri, nuk do të dorëzohet më në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, por të gjitha procedurat do të kryhen te zyrat noteriale që nga aplikimi deri te nxjerrja e kartelës të re të pasurisë për blerësin. Shërbimet e reja reflektojnë edhe përfundimin e regjistrit online të hipotekës”, theksohet në dokument.
Më tej në dokumentin e publikuar nga dy ministritë bëhet me dije se, tarifat për shërbimet në zyrat noteriale do të vazhdojnë fikse, përveç rasteve kur te noteri nënshkruhet kontrata për shitje të pasurisë të paluajtshme apo dhurim të pronës, ku tarifa noteriale përcaktohet nga vlera e transaksionit. Ndërsa, tarifa e reja duhet të afishohen në çdo zyrë noteriale dhe zbatimi i tyre është i detyrueshëm për çdo akt dhe veprim noterial. Sipas dokumentit, një prokurë e përgjithshme do të kushtojë 5000 lekë; Prokurë e posaçme -3000 lekë; Prokurë e posaçme kur marrin pjesë më shumë se 5 persona-5000 lekë; Prokurë për tërheqje-500 lekë. Sa i përket përpilimi të testamentit në zyrë kosto do të jetë 8.000 lekë. Përpilimi i testamentit në shtëpi -10.000 lekë; Depozitim testamenti -3.000 lekë ; Procesverbal i çeljes së testamentit -5.000 lekë. Referuar dokumentit procedurat për dhurimin e pronës kushtojnë nga 200 lekë në 5.000 lekë. “Deklaratë për pranim dhurimi -3.000; Deklaratë për kompensim dëmshpërblimi -2.000 Deklaratë për fshirje hipoteke- 2.000; Deklaratë për njohje detyrimi, shume -3.000; Deklarata me përmbajtje të tjera -2.000; Deklaratë për heqje dorë nga pronësia -3.000; Deklarim i prindit për kalim kufiri nga fëmija -500; Deklaratë për pajisje fëmije me pasaportë -500; Deklaratë asistence, papunësie -200; Deklaratë pjesëmarrje në mbledhjen e ortakëve të një shoqërie tregtare -5.000”, thuhet në dokument. Ndër të tjera tregohet se: Përpilim dhe vërtetim të shoqërive tregtare me përgjegjësi të kufizuara (sh.p.k.) -20.000 Përpilim dhe vërtetim të shoqërive tregtare aksionare (sh.a.)- 30.000;Vërtetim i nënshkrimeve në aktet e shoqërive tregtare-5.000; Vërtetim dhe verifikim i dokumenteve të ndryshme -4.500. Depozitim shume -4.000; Depozitim pasurie me vlerë -10.000; Krijimi i shoqatave, akti i themelimit para noterit, vërtetimi i nënshkrimit për statutin -20.000; Krijimi i fondacioneve (me akt noterial) -25.000 lekë.
/a.r
Boll qe te behet se po zgjasin shume kohe keto dokumentat