Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e shoqëruar nga ministrja e Arsimit Evis Kushi, kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit ndaj gripit për mësuesit në Shkollën ‘1 Qershori’ në Tiranë, nga ku ka nisur procesi i vaksinimit në vendin e punës për të gjithë arsimtarët.
Manastirliu ka deklaruar se po vijon në mënyrë kapilare vaksinimi ndaj gripit në të gjithë vendin për mësuesit dhe edukatoret.
“Kategoria e mësuesve, e edukatorëve është një prioritet për ne. Pas edukatoreve të kopshteve dhe çerdheve, vijojmë me vaksinimin në mënyrë kapilare për arsimtarët në të gjithë vendin. Ky proces i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit Dhjetor në vendin e punës, nëpërmjet qendrave shëndetësore, të cilat kanë në patronazh zonat respektive ku ka kopshte, çerdhe, shkolla. Qendra shëndetësore që mbulon zonën do të ketë një detyrë ekstra, vaksinimin në vendin e punës për këto kategori”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se vaksinimi ndaj gripit po kryhet edhe për kategoritë e tjera të riskut, duke ftuar qytetarët të paraqiten pranë qendrave shëndetësore për të kryer vaksinën ndaj gripit.
“Gjithë muaji Dhjetor do të jetë i dedikuar programit të vaksinimit ndaj gripit dhe padyshim që është një ftesë e përhershme për të gjithë qytetarët, sidomos për ata të cilët janë grupe të riskuara, për gjyshërit, për ata të cilët janë me sëmundje kronike dhe sigurisht për nënat, për një thirrje për vaksinimin e fëmijëve 0-5 vjeç”, tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi e ka cilësuar vaksinimin një proces në kohën e duhur në këtë situatë të epidemisë.
“Zgjidhja që është gjetur për t’i kryer këto vaksinime në vendin e punës natyrisht që e lehtëson sistemin tonë shëndetësor në këtë situatë të vështirë pandmie. Dhe ne nga ana jonë si ministri, kemi marrë masa për tu ardhur në ndihmë mësuesve. Së pari ne kemi rritur numrin e mësuesve, kemi futur një mijë mësues shtesë në sistem, në mënyrë që ata mësues që janë me Covid, apo që janë të karantinuar për shkak të kontakteve, të vazhdojnë të rrinë në shtëpi dhe të zëvendësohen me mësues të tjerë nga portali “Mësues për Shqipërinë”, në mënyrë që procesi mësimor të vijojë rregullisht”, tha Kushi.
Këtë vit, në kuadër të strategjisë së vjeshtë-dimrit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar mbi 4 herë më shumë doza të vaksinës antigrip falas, për të gjithë grupet e rrezikuara. Janë 368 mijë qytetarë, ku përfshihen të gjithë grupet në risk, nga personeli shëndetësor te gratë shtatzëna, nga fëmijët te edukatoret, arsimtarët, të moshuarit, personat me sëmundje kronike etj, të cilët kanë mundësi të shkojnë në qendrën e tyre shëndetësore dhe të bëjnë falas vaksinën kundër gripit.
/a.r