Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në një fasoneri në Lezhë. Gjatë bisedës me administratoren Brunilda Shytaj, Basha u njoh me situatën e këtij biznesi, që ka reduktuar numrin e punonjësve, pasi e ka të pamundur të paguajë pagat e tyre.
Kryetari Basha tha se qeveria e ardhshme do të jetë në krah të qytetarëve dhe sipërmarrjes.
“Ju jeni shembull! Ju jeni shembull që qeveria e ardhshme do ta inkurajojë, që të tregojë dhe për emigrantët e tjerë, që duan të investojnë të ardhmen e tyre, ëndrrat e tyre, kapitalin e tyre, që në Shqipëri mund t’ia dalin, jo që në Shqipëri nuk i dilet, se përndryshe vendi s’ka të ardhme. S’mund të vazhdohet kështu”, tha kreu i PD.
“Janë 7 vite që vazhdohet kjo mënyrë. Tani ka ardhur momenti t’i themi boll dhe të hapim një rrugë të re, të fillojmë ndryshimin. Është në dorën tonë. Shumica absolute e shqiptarëve e duan këtë ndryshim. Është në dorën tonë ta bëjmë të mundur. Jam i sigurt, në qoftë se ne nuk krijojmë disa kushte bazë, ju s’keni asnjë arsye të largoheni”, u shpreh Basha.
Basha iu rikthye edhe njëherë planit të propozuar prej tij, që synonte të ndihmonte biznesin dhe qytetarët.
“Ky është plani ynë. T’i japim çdo sipërmarrësi 200 mijë lekë të vjetra për çdo punonjës që rikthen në punë. Për shembull në qofte se ti ke pasur 40 dhe ke hequr gjysmën apo më shumë të marrësh 200 mijë lekë të vjetra për këdo nga ata që do rikthesh në punë për 6 muaj. Pra, kjo është ndihma e parë. Ndihma e dytë që mund t’ju japim është akses në kredi me garanci nga shteti, me një interes jo më të lartë se 2%, ku bie fjala për shpenzime operative apo investime kapitale. Në qoftë se ju duhet për të marrë borxh, për të marrë rrogat e punonjësve, 0%”, tha Basha.
/a.r