Italia u godit rëndë nga vala e parë e pandemisë COVID-19, me shpërthimin që shtoi problemet ekzistuese sociale dhe pabarazinë në sektorin e kujdesit shëndetësor publik. Shkurtimet e përvitshme të buxhetit dhe një fuqi punëtore në moshë kanë rezultuar në mungesa serioze të personelit në spitalet në të gjithë Italinë, vend që regjistron numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në Evropë.
Në fund të nëntorit, me vendin që po përballet me valën e dytë të rëndë të koronavirusit, spitalet në zonat me rrezik të mesëm të Umbrias dhe Piemontes bënë thirrje urgjente për staf mjekësor – megjithëse njoftimet për punë përjashtonin punëtorët e lindur jashtë Italisë.
Sipas nenit 38 të legjislacionit të punësimit në sektorin publik të Italisë, i cili daton që nga viti 2001, qytetarët e BE-së, banorët e përhershëm dhe ata që jetojnë me status refugjati ose mbrojtje humanitare kanë të drejtë të punojnë në spitalet publike. Përveç kësaj, qeveria miratoi një dekret për gjendjen e pandemisë në fillim të vitit 2020 i njohur si “Cura Italia”, i cili hapi përkohësisht punë publike për të gjithë personelin mjekësor të lindur jashtë të pajisur me leje pune.
Autoritetet në Umbria dhe Piemonte u tërhoqën vetëm pasi shoqatat mjekësore dhe vëzhguesit e të drejtave kërkuan të hiqeshin për shkak të praktikave të tyre diskriminuese të punësimit.
Paola Andrisani, studiuese në platformën anti-raciste të monitorimit Cronache di Ordinario Razzismo, i tha DW se është e zakonshme që njoftimet për punë në sektorin e kujdesit shëndetësor publik të kërkojnë që aplikantët të kenë shtetësi italiane ose të BE-së. Sa i përket anashkalimit nga pandemia, ajo tha se kjo është aplikuar vetëm në disa raste të izoluara.
“Umbria ka përfshirë tani dispozitat e Nenit 38,” shpjegoi ajo. “Ajo që ndodhi në Piemonte është pak më ndryshe. Thirrjet për aplikime u mbyllën, por një njoftim i ri u botua që synonte posaçërisht punonjësit shëndetësorë të lindur jashtë Italisë, i cili zbaton përjashtimin e përkohshëm të “Cura Italia”.”
Kohët e fundit, megjithatë, ajo tha se Piemonte publikoi një njoftim tjetër për personelin mjekësor – përsëri i drejtohet vetëm qytetarëve italianë dhe të BE-së.
“Duket se njoftimi për punonjës në sektorin e shëndetësisë nga radhët e migrantëve është vetëm për sy e faqe,” tha ajo.
“Është e papranueshme që kritere të ndryshme të zbatohen nga autoritete të ndryshme rajonale, ndonjëherë autoritetet lokale shëndetësore, veçanërisht në një kohë kur personeli mjekësor është jashtëzakonisht i nevojshëm.”
Umbria dhe Piemonte nuk janë të vetmet: autoritetet rajonale dhe lokale që janë përgjegjëse për postimin e njoftimeve të punës, në të gjithë Italinë vazhdimisht dështojnë të zbatojnë legjislacionin ekzistues dhe përjashtojnë punonjësit e mjekësisë të lindur jashtë.
Mjekë migrantë në vijën e frontit
Foad Aodi është një ortoped palestinez dhe kreu i Shoqatës së Mjekëve të Huaj në Itali (AMSI), e cila ka bërë fushatë për të njohur stafin mjekësor të huaj nga sektori publik. “Ne mund të themi se kjo përbën dy hapa përpara dhe një hap prapa,” tha ai për njoftimet e fundit të punës në Umbria dhe Piemonte. Ai e mirëpriti lajmin, por tha se duhet bërë më shumë për t’u siguruar që çdo ndryshim nuk është thjesht unanim dhe nominal.
“Unë nuk do të doja që kjo të mbetet një fasadë,” shtoi ai. “Ajo që duhet është më shumë qartësi dhe më shumë informacion”.
AMSI vlerëson se rreth 77.500 profesionistë shëndetësorë të lindur jashtë aktualisht punojnë në Itali, përfshirë 22.000 mjekë, 38.000 infermierë dhe punonjës të tjerë të kujdesit shëndetësor, shumica e të cilëve janë arsimuar në Itali. Shumica janë të vetëpunësuar ose të punësuar në sektorin privat, shpesh në pozicione më pak të sigurta.
Vetëm 10% janë të punësuar në sektorin publik. Midis tyre është Artes Memelli, një mjek 27-vjeçar i urgjencës me origjinë nga Shkodra, në veri të Shqipërisë.
“Në valën e parë, kishte shumë frikë dhe pasiguri, madje edhe midis nesh mjekëve. Spitalet ishin më të paorganizuara dhe PPE [pajisjet e mbrojtjes personale] ishin të pakta. Ne thjesht nuk ishim gati,” tha Memelli, që ka punuar që kur filloi pandemia në vijën e parë në spitalet publike në rajonin verior të Venetos.
“Vala e dytë gjithashtu na kapi të papërgatitur, por të paktën ne kemi PPE, udhëzime dhe më shumë shtretër.”
Memelli është një nga shumë mjekët që punojnë me kohë të pjesshme për kooperativat që ofrojnë personel në spitalet publike në Itali. Ashtu si punëtorët e tjerë të vetë-punësuar, profesionistë të tillë mjekësorë nuk gëzojnë përfitimet e punëtorëve të punësuar, siç janë pushimet me pagesë ose lejet mjekësore.
“Është një shenjë pozitive, por jo e mjaftueshme pasi e ardhmja mbetet e pasigurt,” tha ajo për debatin e fundit mbi punëtorët e huaj, i cili ka sjellë rritjen e ndërgjegjësimit të çështjes.
“Ende nuk ka një ligj aktual që thotë se më vonë, kur të mbarojë emergjenca, mjekët e huaj me leje pune në Itali do të jenë në gjendje të marrin pjesë në konkurset e rekrutimit për sektorin publik.”/DW
g.kosovari