Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri deklaroi sot se, “opinioni i Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ka qenë i vonë, sepse tashmë ndryshimet janë bërë”.
“Tashmë është vonë, sepse Kodi është bërë. Ndryshimet kushtetuese janë bërë. Sistemi zgjedhor që ne kemi sot pas marrëveshjes së 5 qershorit dhe ndryshimet kushtetuese është më i keq se ai që ishte, sepse ka mbyllur dy hapësira. Një gjë që e kishte të drejtë çdo subjekt politik për t’u bashkuar në subjekte me koalicione parazgjedhore. Dhe kjo duke parë konjukturën politike sot natyrisht për opozitën është një goditje. Ajo opozitë që është me ato aleatë që është. Ajo PD që është. Nuk po diskutoj substancën dhe performancën e PD dhe aleatëve të saj. Por nga pikëpamja taktike i ul shanset që të maksimalizojë votën. Kjo ishte e pandershme dhe kjo në fakt është thënë nga Komisioni i Venecias që ndryshimet u bënë të nxituara dhe të pamatuara”, tha Kulluri.
Kulluri theksoi se, “ndryshime kushtetuese pa palën tjetër nuk mund të bësh. Ose do kesh konsensus ose do shkosh në referendum”.
“Konsensusin në parlament e ka bërë të pamundur opozita me papërgjegjshmërinë e saj të djegies së mandateve. Nuk kanë pse bërtasin sot fitore për këtë raport. Sepse kanë përgjegjësinë më të madhe. Biles përgjegjësinë e vetme e kanë ata, sepse po të ishte opozita në parlament, Edi Rama nuk do t’i kishte 85 vota, as 93 vota për të bërë 2/3. Të jemi të qartë”, shtoi Kulluri.
Së dyti, u shpreh ai, “moshapja e listave ishte një mundësi e mirë për të zhbërë gabimin e rëndë që është bërë në vitin 2008. Bashkë me atë të forcimit të Kryeministrit me ndryshimet për mocionet e besimit dhe mocionet e mosbesimit, ka bërë që ne nga pikëpamja e standardeve demokratike kemi hedhur hapa të mëdhenj mbrapa këtë vit në zgjedhje, që pa u bërë zgjedhjet. Nga pikëpamja e përfaqësimit politik. Nga pikëpamja e legjitimimit të zgjedhjeve”, tha Kulluri.
Sepse, theksoi ai, “sido të shkojë rezultati. Nëse fiton mazhoranca aktuale, opozita me të drejtë do thotë që u ndryshuan rregullat e lojës rrugës dhe është e drejtë. Pavarësisht se mund të jetë shumë larg me vota dhe as koalicionet nuk do e ndihmonin dot. Kjo është tjetër çështje. Po flas në themel kjo që bëri Rama në mënyrë të njëanshme ishte e padrejtë”, u shpreh ai. /a.p