Nga Ben Andoni
Për të 18-tin vit me radhë, piktorët që përbëjnë grupimin e ashtuquajtur “Nëntori” u bashkuan në aktivitetin e tyre me të njëjtin emër. Për fat, arritën që këtë vit të jenë brenda muajit që në mënyrë simbolike i mbajnë emrin. Dhe, paçka emrave të pjesëmarrësve, risive që mëtojnë dhe realisht sjellin, përcjellja e tyre vazhdon të jetë e vogël dhe disi cinike…
Këtë vit, që përkonte me të 18-tin edicion të tyre, pjesëmarrja e grupimit “Nëntori” ka pasur një risi të këndshme sepse grupit të emrave të njohur i janë bashkuar dhe disa syresh të brezave më të rinj. Por, edhe pse sot, aktiviteti i tyre është kthyer në një traditë që pritet dhe ndiqet nga artdashës jo të paktë, ajo nuk ka qasje pothuaj fare nga njerëzit që pretendojnë se njohin kritikën e artit pamor. Përballja e këtyre të fundit me të është gati cinike qoftë me mosfrekuentimin dhe qoftë me mosshkrimin. Kjo do të thotë se mungojnë qasjet realisht ndaj vlerave estetike dhe cilësore të Nëntorit, ashtu si ka një heshtje pakuptim. Dhe, e përsërisim nuk ka rëndësi sesa rreshta i kushtojnë porse heshtjes që i mbajnë shumë nga njerëzit që shkruajnë për gjithçka në artin pamor.
Interesant është se edhe ata që mund të jenë shumë kundërshtues ndaj tij, nuk preferojnë të shkruajnë as teknikisht, që p.sh. ky grumbullim artistësh nuk është në nivelin që duhet apo format e vjetra që përdorin!!! Duket sikur heshtja mëton të thotë se janë shumë të prapambetur, apo më shumë se kaq: gjuha që përdorin për të sjellë idetë e tyre është e pamjaftueshme.
E jo vetëm heshtet, por edhe mbahet një farë distance që është vërtetë shqetësuese. Kjo të bën të mendosh se në Shqipëri për gjithçka duhet të jesh pjesë e disa rretheve dhe e disa konjukturave që të vlerësohesh apo më shumë se kaq të mediatizohesh se për ndryshe je i destinuar në harrim, siç edhe po ndodh me ta.
Krejt ndryshe nga vitet e mëparshme ku kishte një lloj konservatorizmi të grupit të Nëntorit, sa i përket pjesëmarrjes, në vitet e fundit ata e kanë hapur gamën e tyre dhe sot, shikon jo vetëm emra “të rinj”, por realisht edhe personazhe që jeta shqiptare e artit i vlerëson dhe ka nevojë. Të mos harrojmë se qysh kur u çel ekspozita e parë e tyre në nëntor të vitit 1998, organizuar nga artisti dhe kritiku i artit Llambi Blido dhe nga piktorët Besim Tula dhe Stefan Taçi, në të kanë marrë pjesë jo vetëm artistë të shquar si profesorët e të gjithë brezave qysh prej Sadik Kacelit, Ismail Lulanit, Isuf Sulovarit, Agim Zajmit, Niko Progrit, por në këtë edicion kishte një gërshetim tejet interesant me emrat (i referohemi rreshtimit alfabetik) të Adrian Devollit, Agron Mesit, Aleksandër Filipit, Andi Hilës, Ardit Boriçit, Artan Bucës, Aurel Nukajt, Bashkim Dervishit, Besim Tulës, Brikena Bërdos, Buron Kacelit, Dea Tilit, Eniela Veveçkës, Gazmend Lekës, Gjergji Markos, Hasan Çaparit, Kleves Krisikos, Ksenofon Dilos, Kujtim Buzës, Llazar Taçit, Matilda Odobashit, Merita Selimit, Nikolin Ivanajt, Orlis Vathit, Petro Kokushtës, Robert Gucit, Sali Shijakut, Stefan Taçit (Stefos), Vilson Kilicës, Zef Shoshit…
…
Interesant mbetet edhe i vetmi kushtëzim i tyre. “Ai lidhet me gjininë e pikturës së kavaletit ndërsa tema apo dimensioni i veprës janë në varësi të dëshirës së artistit për të shprehur sa më mirë ndërsa përgjegjësia e nivelit artistik të veprës është personale por gjithmonë duke dashur që identiteti krijues i secilit të jetë sa më evident në mënyrë që edhe ekspozita të jetë sa më e larmishme në stile dhe ide”, shprehej Aleksandër Filipi.
Në fakt, një “gabim” duket se qëndron edhe vetë përbrenda tyre me tërheqjen e pajustifikuar. Që do të thotë se një grupim shoqëror, siç mund ta justifikonte një nga piktorët dhe kuratori i tyre i fundit Aleksandër Filipi, dhe duke mos qenë institucion e ka të pamundur të realizoj ekspozita kombëtare, pasi janë vetë krijues!
Për hir të së vërtetës, edhe vetë ky grupim duke pasur kaq shumë zëra pjesëmarrës, duhet që të jetë më fleksibël dhe është e pamjaftueshme ankesa e tyre e vazhdueshme. Përballë ftohtësinë dhe indiferencën shtetërore nuk mjaftojnë vetëm çikërrimat që hedh ndonjë dashamir, që vitet e fundit ka pasur disa për fat, por edhe angazhimi i tyre…Ata duhet të jenë më aktivë, por edhe më të ngulshëm. Paçka se edhe Galeria, që ua besoi ekspozitën, ditën e fundit, që korrespondonte me një ditë pushimi, punët ua hoqi që në minutat e para të orarit zyrtar, e plot një ditë të tërë para fundit të përcaktuar!!!