Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton rreth një vepre të mundshme kriminale që lidhet me persona të cilët mund të kenë dhënë rryshfet në Shtëpinë e Bardhë në këmbim të një faljeje presidenciale, sipas dokumenteve të gjykatës.
Gjyqtarja Beryl Howell publikoi të martën një urdhër në të cilin bëhet fjalë për hetimin rreth një çështjeje që ajo e quan “ryshfet për falje”.
Rreth gjysma e dokumentit prej 18 faqesh përmban pak hollësi në versionin për publikun, sepse emrat dhe shumë informacione të tjera në të janë të nxira me bojë të zezë, pasi hetimi vazhdon.
Sipas gjyqtares, prokurorët federalë në Uashington kanë në dorë prova të një skeme ryshfeti në të cilën dikush “do të ofronte një kontribut të konsiderueshëm fondesh politike në këmbim të faljes presidenciale ose heqjes së dënimit”.
Në dokument thuhet se prokurorët po hetojnë gjithashtu një “skemë të fshehtë lobimi”, në të cilën dy individë të paidentifikuar “kanë vepruar si lobistë tek zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, pa respektuar kërkesën për t’u regjistruar si të tillë.”
Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë tha të martën mbrëma se asnjë zyrtar i qeverisë amerikane nuk është “objekt ose shënjestër” e hetimit të Departamentit.
Në bazë të Kushtetutës, presidentët amerikanë gëzojnë kompetenca të gjera në faljen e individëve të dënuar për krime federale.
Presidenti Donald Trump fali javën e kaluar ish-këshilltarin e tij të sigurimit kombëtar Michael Flynn, i cili kishte pranuar dy herë fajësinë se kishte gënjyer Byronë Federale të Hetimit gjatë hetimeve për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s./VOA