Keto janë imazhet e para nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku u ekzekutua me armë një i ri. Gazetari Enrik Mehmeti ka siguruar për “BalkanWeb” pamjet nga vendi i ngjarjes ku duket një automjet tip “Benz” i dalë nga rruga.
Ndërkaq policia e Vlorës në njoftimin zyrtar thotë se ka qenë një telefonatë nga një qytetar që ka njoftuar se në Fushë- Dukat, Orikum një automjet ka ndaluar në rrugë dhe brenda tij ka një person të pa jetë.
“Më datë 01.12.2020, rreth orës 21:00, në Sallën Operative Vlorë ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se në Fushë- Dukat, Orikum një automjet ka ndaluar në rrugë dhe brenda tij ka një person të pa jetë.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë konstatuar të pajetë shtetasin B. B., rreth 27 vjeç, dyshohet ka humbur jetën nga përdorimi i armës së zjarrit.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Stacionit të Policisë Orikum kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve”, deklaron policia.