Inspektimi i Bashkisë së Tiranës në gropën për pallatin në Farkë, që për pak u shndërrua në tragjedi për banorët e pallateve përreth, zbuloi se ishte për 7 kate, ndërkohë që në leje parashikoheshin vetëm 3. Ky abuzim sipas kryebashkiakut Erjon Veliaj ndodhte nën heshtjen e ish kryekomunarit të Farkës Fatbardh Plaku, i paditur penalisht. Për të shmangur të tjera rreziqe, Veliaj tha se është pezulluar totalisht çdo ndërtim në zonën e Kopshtit Botanik.
“Moda ishte që merrnin lejen për tre kate dhe e bënin shtatë. Përdorej hapësira ligjore që lejonte legalizimin, që katet e tjera në vend që t’ia paguaje si taksë Bashkisë, i bëje me legalizim, a thua se ishte një fakir-fukara që ndërtonte kasollen e vet. Dallimi mes nesh dhe tyre është se ne nuk jemi qaramanë, ne i japim zgjidhje gjërave. Kjo është arsyeja pse po japim zgjidhje në Farkë duke vendosur pilota dhe pezulluar totalisht ndërtimet në Kopshtin Botanik”, -u shpreh Veliaj.
Sipas Veliajt Bashkia do të investojë për të rehabilituar zonën ku është shkatërruar rruga si pasojë e rrëshqitjes së dherave nga hapja e gropës, por fatura e punimeve do t’i ngarkohet kompanisë së ndërtimit.
“Ne jemi duke projektuar sot, besoj do të marrim draftin, se si ne me një sistem pilot të thellë do të bëjmë një investim aty. Sigurisht, mua më dhemb të bëj investime të tilla, pse duhet të përdor taksat e dikujt që s’ka bërë asnjë gabim, për të riparuar gabimin e dikujt tjetër. Kjo është arsyeja pse në mbledhjet e Këshillit Bashkiak ne kemi marrë një vendim që përveç gjobës, e gjithë kostoja e ndërtimit do i faturohet në formën e një fature kompanisë, pasi Bashkia ta ketë kryer punën”, -tha Veliaj.
Disa ditë më parë, 34 familje që jetojnë në pallatin pranë zonës ku kishte rëshqitje dheu të shkaktuara nga gropa e një pallati që nuk kishte nisur ndërtimin, u evakuuan për shkak të rrezikut. Rrëshqitjet shkaktuan dëmtime të rënda të rrugës.