Teksa foli kryesisht për zgjedhjet e pjesshme lokale në Kosovë, opinionisti Milaim Zeka u ndal edhe te marrëdhëniet dhe problemet me Serbinë.
Sa i përket rikonfirmimit të Listës Serbe në veri të Mitrovicës, Zeka u shpreh se ai territor kontrollohet nga bandat serbe dhe kjo nuk pranohet nga liderët në Kosovë.
“Prej urës së Ibrit, deri në kufi me Serbinë, duhet të ecësh me makinë 40 minuta, të cilat janë 100% nën kontrollin e Vuçiç.
Këtë realitet të dhimbshëm nuk kanë dashur ta pranojnë liderët gënjeshtarë të Kosovës. Askush nuk ka thënë se veriu kontrollohet nga bandat serbe.
Deshëm apo nuk deshëm ne të pranojmë realitetin e hidhur, 17% e territorit të Kosovës, kontrollohet nga bandat serbe.
Ne kemi një kushtetutë të dhimbshme, pasi në Kosovë nuk mund të ndodhë asnjë ndryshim i proceseve politike pa votën e deputetëve të Listës Serbe. Edhe këtë realitet të hidhur nuk e pranojnë politikanët e Kosovës”.
Zeka duke folur për A2 propozoi shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve për të mbyllur plagën e vjetër të përplasjeve. Ai theksoi se shkëmbimi i territoreve është mbështetur edhe nga ish-presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova.
“Ideja e shkëmbimit të territoreve ka qenë një ide e vjetër, e cila është mbështetur edhe nga ish-presidenti Rugova, edhe nga akademiku Daci edhe nga Rexhep Qosja, edhe nga njerëz të tjerë, është mbështetur edhe nga unë. Leshaku, Leposavici, Zubin Potoku, të cilët janë me banorë 100% serbë, një territor tepër i vogël, një territor që i ka takuar Serbisë deri në vitin 1960.
Për ta defaktorizuar elementin e fuqishëm shqiptar, Tito krijoi kombin maqedonas, duke i shpërndarë shqiptarët. Dikë e futi në Preshevë, Medvegjë apo Bujanoc, Tito ia dha Serbisë. Malit të Zi i dha territore të Kosovës, shqiptarët i la nën perandorinë e Maqedonisë së sotme.
Tito i frikësohej vetëm elementit shqiptar në ish-Jugosllavi. Duke shpërndarë kombin shqiptar, kur ne ishim kombi i tretë në ish-Jugosllavi, shumë më të mëdhenj se malazezët, se sllovenët, se maqedonasit apo boshnjakët.
E vetmja zgjidhje përfundimtare me Serbinë, që të largojmë njëherë e përgjithmonë atë luftën tonë 120-vjeçare, të shkëmbejmë territoret. Leshaku, Leposavici, Zubin Potoku, t’i jepen Serbisë, ne të marrim Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin dhe ta mbyllim këtë plagë”, u shpreh Zeka./a.p