Në shumë kryeqytete europiane, fitorja e Joe Biden është mirëpritur me një psherëtimë lehtësimi pas katër viteve përplasjesh me Presidentin Donald Trump. Por krahas gëzimit për kthimin e premtuar të Amerikës në tavolinën dypalëshe, fitorja e Biden ka të ngjarë të hapë konflikte të reja por edhe të vjetra në lidhje me rolin e Europës në skenën botërore.
Zyrtarët francezë në veçanti e gjejnë veten duke menduar se deri në çfarë mase presidenca e Biden do të pengojë politikën e tyre për një BE më të pavarur gjeopolitikisht, një projekt i nxitur nga Presidenti Emmanuel Macron vitet e fundit, pas anashkalimit të unionit nga Trump.
Macron e ka bërë të qartë se do të ndjekë vizionin e tij për një Europë që mund ta mbajë veten në një botë të dominuar nga gjigandë si Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Ndërsa Macron i quajti Shtetet e Bashkuara “aleatë historikë”, ai gjithashtu theksoi ndryshimet kulturore dhe gjeopolitike midis dy anëve të Atlantikut dhe bëri të qartë se Europa duhet të parandalonte mbizotërimin kinezo-amerikan “
Konkretisht, argumentoi ai, kjo nënkupton përpjekje të mëtejshme për të forcuar mbrojtjen europiane, ndërsa trajtohet varësia teknologjike nga dy superfuqitë kur bëhet fjalë për rrjetet 5G dhe ruajtjen e të dhënave. Ai gjithashtu nxiti veprime kundër ndikimit financiar të Uashingtonit, i cili u bë i dukshëm kur sanksionet financiare amerikane kërcënuan firmat europiane që bëjnë biznes me Iranin pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e Iranit.
Një Francë më e fortë përmes një Europë më të fortë ka qenë një mantra e Macron për vite me radhë dhe ka qenë pjesë e ADN-së politike të Francës për dekada. Qëndrimi i Elizesë ndaj NATO-s, për shembull, ka qenë ambivalent që nga Presidenti Charles de Gaulle, i cili në 1966 tërhoqi forcat franceze nga komanda e aleancës, një vendim që do të ndryshohej plotësisht vetëm 40 vjet më vonë.
“Nëse shikoni se si Franca është pozicionuar strategjikisht nga De Gaulle, është pikërisht kjo:” Ne jemi një aleat i Shteteve të Bashkuara, me të cilat kemi vlera të përbashkëta, por nuk jemi vasalë dhe duhet të respektohemi”, thotë Christian Lequesne, profesor i gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin Science Po.
Pyetja kryesore për Parisin është nëse, pas ikjes së Trump, partnerët e tij europianë do të mbajnë ende të njëjtin qëndrim. Në vitet e fundit, në sajë të luftërave tregtare të Trump, ashpërsimit të NATO-s dhe luftërave politike dhe ekonomike për gjithçka, nga Irani te ndryshimi i klimës, Europa dukej e gatshme të merrte një rol më të madh të pavarur për veten e saj. Zyrtarët francezë dhe gjermanë, të ndezur nga presioni ekonomik amerikan, folën hapur për rivendosjen e “sovranitetit ekonomik”. Në vitin 2018, Presidenti i atëhershëm i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker titulloi fjalimin e tij për gjendjen e Bashkimit “Ora e sovranitetit Evropian”. Pranverën e kaluar, Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi “sovranitet më të madh strategjik për BE-në”.
Një fond për ushtrinë europiane u krijua për të zhvilluar teknologjinë ushtarake dhe për të përmirësuar bashkëpunimin, por burimet e alokuara nga buxheti i fundit shtatë-vjeçar i BE janë 40 për qind më të ulëta se shifra e propozuar fillimisht nga Komisioni. Por pavarësisht nga një marrëveshje bashkëpunimi e nënshkruar në vitin 2018, një ushtri e integruar europiane mbetet thjesht fantazi në këtë fazë.
Këto linja defektesh janë bërë të dukshme javët e fundit për shkak të një debati jashtëzakonisht publik midis Macron dhe Ministres gjermane të Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer. Ajo tha se “iluzionet e autonomisë strategjike evropiane duhet të marrin fund: Europianët nuk do të jenë në gjendje të zëvendësojnë rolin thelbësor të Amerikës si një ofrues sigurie”, u shpreh ministrja. Macron tha më vonë se nuk ishte dakord me atë pikëpamje.
Në vitet e fundit, Europa dukej e gatshme të merrte një rol më të pavarur. Javën e kaluar, Ministrat e Jashtëm francezë dhe gjermanë dolën me një deklaratë të përbashkët duke pranuar se partneriteti transatlantik duhet të bëhet “më i ekuilibruar”.
Sidomos pas vendimit të Trump për të tërhequr mijëra trupa amerikane nga Gjermania, Berlini e di se Europa do të duhet të ndajë barrën e vendimeve gjeopolitike, pasi energjia amerikane po i kushtohet gjithnjë e më shumë konfrontimit me Kinën.
Por Kramp-Karrenbauer këmbëngul se Evropa ka nevojë të rrisë shpenzimet e saj ushtarake dhe të marrë përsipër disa nga detyrat e sigurisë së Shteteve të Bashkuara në lagjen e saj, por si një mënyrë për t’u marrë më seriozisht nga Uashingtoni dhe për të forcuar marrëdhënit trans-Atlantike, jo për t’i zëvendësojini ato.
“Pikëpamja e një ministri nuk është domosdoshmërisht pozicioni i gjithë qeverisë gjermane, veçanërisht në një koalicion si ai që qeveris Gjermaninë”, vuri në dukje Hanns Maull, ekspert i Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë. Çdo vazhdimësi në qasjen aktuale të Gjermanisë mjegullohet më tej nga largimi i Merkel nga qeveria vitin e ardhshëm.
Në këtë kuptim, përplasjet franko-gjermane të këtij muaji mund të jenë një përpjekje e Macron për të mbajtur nën presion Gjermaninë vuri në dukje Maull. Edhe pse buxheti i mbrojtjes së Gjermanisë është rritur në vitet e fundit, ai mbetet nën pragun nominal të 2 për qind të PBB-së që shtetet e NATO-s supozohet të shpenzojnë për mbrojtjen. Gjermania tani vlerësohet se po shpenzon rreth 1.6 për qind të PBB-së së saj në mbrojtje, krahasuar me Francën që shpenzon 2.1 për qind. Dhe kur bëhet fjalë për shpenzimet për pajisjet kryesore të mbrojtjes dhe kërkimin shkencor, Gjermania është një nga kontribuueset më të vogla midis anëtarëve të NATO-s.
Në këto kushte fitorja e Biden, është ajo që e bën të duket e pamundur që Macron të shohë ndonjë përparim të madh në vizionin e tij për një Europë më të pavarur. Për më tepër, anëtarë të tjerë të BE-së dhe NATO-s, si Polonia dhe Hungaria dhe vendet Balltike, janë edhe më pak të gatshme se Gjermania për të ndjekur pavarësinë strategjike nga Shtetet e Bashkuara.
“Presidenti francez është mjaft i izoluar, “thotë Maull. “Shumë shtete të BE-së janë akoma relativisht të etura për të pranuar hegjemoninë amerikane.”/a.p