Covid-19 është i butë tek shumica e fëmijëve, thotë një studim i ri, por disa fëmijë kanë një rrezik më të lartë nga simptomat e rënda. Nga më shumë se 135.000 fëmijë të testuar për koronavirusin e ri në 7 spitale fëmijësh në Shtetet e Bashkuara deri në Shtator, vetëm 4 përqind e tyre u zbulua se ishin të infektuar.
Ata që kishin më shumë gjasa të rezultonin pozitivë ishin fëmijët nga pakicat etnike, adoleshentët, dhe ata me disa sëmundje kronike. Faktorë të ngjashëm rreziku, u vunë re tek 6.7 për qind e fëmijëve të infektuar që zhvilluan një formë të rëndë të Covid-19, dhe u shtruan në spital me simptoma specifike të frymëmarrjes, kardiovaskulare apo Covid-19. Prej tyre, 27.6 për qind kërkonin kujdes intensiv dhe 9.2 për qind kërkonin ventilim mekanik. Tetënga fëmijët që rezultuan pozitivë vdiqën, një shkallë fataliteti prej 0.15 për qind. Rreziku i vdekjes ishte i lidhur ngushtë me pasjen e gjendjeve të shumta komplekse shëndetësore para-ekzistuese.
Fëmijët me sëmundje kronike afatgjata, kishin gati 6 herë më shumë gjasa të zhvillonin një formë të rëndë të sëmundjes, dhe rreziku ishte 1.5-3 herë më i lartë tek fëmijët zezakë, ata më të vegjël se 1 vjeç dhe më të mëdhenj se 12 vjeç.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se fëmijët zezakë, hispanikë dhe ata aziatikë kishin më pak të ngjarë të testoheshin, por kishin 2-4 herë më shumë gjasa të rezultonin pozitivë sesa fëmijët e bardhë. “Ndërsa rreziku i përgjithshëm është i ulët tek ky grup fëmijësh, ne shohim një pabarazi të konsiderueshme tek ata që dalin pozitivë me Cvid-19, dhe po zhvillojnë një formë të rëndë të sëmundjes, e cila ndjek prirjen që shohim edhe tek të rriturit”- thotë autori i studimit Hanie Razagi, ndihmësdrejtoreshë e Koordinimit të të Dhënave PEDSnet Qendra në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias.
PEDSnet është rrjeti kombëtar shëndetësor pediatrik që përfshin më shumë se 7 milion pacientë. “Studimet e ardhshme, duhet të vlerësojnë se deri në çfarë mase shkalla më e lartë e rezultateve pozitive të testit PCR, pasqyron strategji të ndryshme të testimit në të gjithë grupet e pacientëve, apo edhe faktorët përcaktues të rrezikut, si ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit dhe gjasat e familjes që duhet të vazhdojë punën pavarësisht situatës”- shtoi ai.
“Ngjashëm, është e rëndësishme të kuptojmë ndryshimet në biologjinë e infeksionit që shkaktojnë nivele të ndryshme të simptomave midis pacientëve, pasi në këtë mënyrë mund t’i mbrojmë më mirë fëmijët që janë më të rrezikuar” – theksoi Razagi. Studimi u botua më 23 nëntor në revistën “JAMA Pediatrics”. /a.p