Kryetari i Partisë Demokratike ka zgjedhur takimin me të rinjtë në Durrës, për t’ju rikthyer edhe njëherë sulmeve ndaj Ilir Metës, akuzat për të cilin kishin munguar prej kohësh. Prej disa javësh lideri i opozitës në fjalimet e tij publike si dhe ish kryeministri Berisha, në parlament, kërkonin me ngulm dorëheqjen e Kreut të Kuvendit Meta, pas asaj që u quajt si “afera CEZ”. Sulmet vijuan e më pas pushuan çuditërisht. Fokusi i sulmeve të opozitës u bë Kryeministri Rama apo ministrat e kabinetit, ndërsa akuza për Metën nuk pati për një kohë të gjatë. Në intervalin kohor të “heshtjes” së opozitës kundrejt Metës, në fokus të politikës shqiptare ishte debati i shumëpërfolur i “krisjes” mes PS dhe LSI, apo i thënieve se shumë shpejt dy forcat kryesore të mazhorancës do të “divorcoheshin”.
Këtë të martë, Lulzim Basha iu rikthye edhe njëherë togëfjalëshit “dyshja Rama- Meta” duke theksuar se kjo qeveri është një kuçedër me dy koka që po mban peng Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Një milion dollarë në ditë mungojnë nga doganat dhe tatimet, pse vallë, taksat paguhen me kërbac në dorë, paratë vidhet përfundojnë në pasuri të qeveritarëve, luks, vila, konto jashtë shtetit, bëjnë të paditurin kur raportet e huaja deklarojnë se kryeministri i vendit më të pasur llogaritet të ketë pasuri 200 milionë eurosh. Ku janë paratë? Paratë i ka përthithur kuçedra me dy koka e Ramës me Metën, ky është marifeti I rilindjes, rrit taksat, po jo rrogat, rrit gjobat, jo investimet, planifiko më shumë mblidh me pak, se vjedh më shumë” tha Basha.
Lideri demokratëve i ka bërë thirrje të rinjve të Durrësit që të jenë në Tiranë më 8 dhjetor, në protestë kundër qeverisjes së majtë.
“Sot një javë do të bashkohemi për të përmbysur tiraninë e krimit, korrupsionit, hajdutërisë së Ramës e për të marrë në dorë fatet tona, do të hapim rrugën evropiane të Shqipërisë” tha Basha.
Duke qenë në Durrës, Basha ka hedhur akuza edhe ndaj kryebashkiakut Vangjush Dako, duke thënë se krimi është busulla që udhëheq këtë të fundit. Duke riartikuluar një akuzë të Sali Berishës në aulën e Parlamentit, Basha tha se Vangjush Dako është marrë peng nga krimi.
“Vangjush Dakon krimi e ka marr peng për orë të tëra dhe ta detyrojë të grisë një vendim të mëparshëm korruptiv, për të firomsur një tjetër vendim korruptiv. Këtu në Durrës krimi janë bërë njësh me pushtetin, terrorizojnë qytetarët, vendosin se kush mund të bëj aktivitetin ekonomik dhe në cilin sektor. Ata vrasin e presin kudo ku shohin se kanë diçka për të marrë e të zhvatur, e bëjnë këtë pa frilkë. Rama është drama më e dhimbshme për Durrësin e për gjithë Shqipërinë. Erdhi në pushtet me një festival premtimesh të bujshme, në pjesë prej të cilave rrezononin me shumë shqetësime të qytetarëve tanë. Ku jemi sot? Ku ndodhet sot Shqipëria? Megaskandalet po plasin ditë për ditë, premtimet janë harruar, sepse në vend që të merremi me pretimet, përditë merremi me zullumet qeveritare”, tha Basha