Skenari i dytë i mësimdhënies, i pritshëm me kohë, pas valës së dytë të virusit në vendin tonë, parashikon që mësimi të zhvillohet midis prezencës fizike në klasë dhe mësimit online. Nuk ka të bëjë aspak me zhvillimin e orëve të kurrikulës bazë në klasë dhe lëndëve të tjera në shtëpi, por mësimin një javë në shtëpi dhe një javë në klasë.
I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Profesori dhe Akademiku i njohur, Artan Fuga, ka drejtuar pyetjen se përse duhet të mbyllen përmes këtij udhëzimi edhe shkollat në fshat. Sipas tij, ky vendim është marrë në mënyrë të centralizuar dhe hierarkike.
Artan Fuga: Pse nxënësit e një fshati, diku ku ska asnjë rast Covidi që janë të izoluar edhe ata të sillen si një lagje e Tiranës, kur dihet që ka problematika të tjera pandemie? Ndërkohë, kur shkolla do të vazhdojë deri në fund. Pse kjo mënyrë e centralizuar, hierarkike, e padiferencuar, e paparë, me zona?
Nga ana tjetër, Zamira Gjini, drejtoreshë e Politikave të Arsimit është shprehur se mbyllja nuk do të jetë njëlloj, por sipas zonave.
Zamira Gjini: Ne e kemi përcaktuar, se në rastet e vendimmarrjes se si do të zhvillohet mësimi në shkollë, kemi lënë disa variante, pra ato zona ku nuk është përhapur virusi dhe ku shkollat janë me numër të vogël nxënësish siç janë shkollat e zonave rurale, ato mund të vazhdojnë të bëjnë mësimin jo në mënyrë të kombinuar.
………………………………………….
Shpërthen Artan Fuga: Mësimi në televizion është për faqe të zezë, niveli i studentëve të rinj është skandaloz…
Gjatë periudhës Mars – Maj, televizionet u vendosën në shërbim të mësimit të fëmijëve nga shtëpia në këtë kohë ku shkolla ishte pezulluar për shkak të frenimit të koronavirusit.
Këtë skenar që asokohe u pa si zgjidhje e ka përmendur akademiku Artan Fuga, në Spotlight nga Alban Dudushi, prej ku, ka deklaruar se mësimi përmes televizionit ishte për faqe të zezë.
Ai shfaqet i shqetësuar edhe për nivelin e studentëve që mbërrijnë në vitin e parë, të cilët sipas tij paraqiten me boshllëqe skandaloze.
“Televizioni për shkollat është për faqe të zezë dhe në qoftë se mendoni se ai do zgjidhi problemin, unë po them se nuk e zgjidh. Është rasti për të pyetur se çfarë ndodh në shkollë që studentët që na vijnë në vitin e parë kanë të tilla boshllëqe skandaloze.”
g.kosovari