Shkollat nuk do të mbyllen, por do të vihet në zbatim skenari 2! Që do të thotë se nga 1 dhjetori, Komiteti Teknik i Ekspertëve i ka propozuar Ministrisë së Arsimit që të zhvillohet mësim i alternuar, online dhe në klasë.
E ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Zamira Gjini, drejtoreshë e Politikave të Arsimit, përmes një lidhjeje Skype, ka treguar se përse fëmijët e fillores dhe maturantët nuk preken nga ky vendim dhe mësimin do ta bëjnë në shkollë.
“Duke patur parasysh edhe moshën e fëmijëve nga klasa e parë deri në klasën e pestë, në konsultim edhe me institucionet e Shëndetësisë, menduam që kjo moshë, për të cilët edhe përkudesi i prindërve është më i madh, do të duhej që prindërit të qëndronin në shtëpi, nëse ato do të bënin mësim në shtëpi. Dhe maturantët, për shkak se ato janë nxënësit të cilët ndodhen në proçesin e mbylljes së ciklit të arsimit të mesëm. Pra, duhet që të përgatiten për provimet e maturës shtetërore”
……………………………
Gjini: Kemi shpërndarë 15 mijë tableta/ Gjoni: Në Dibër, ka 5 familje të varfra nuk blejnë dot internet për fëmijët
Pas datës 1 dhjetor, shkollat 9 vjecare dhe të mesme do të përzgjedhin variantet e mësimit të kombinuar, në varësi të situatës së pandemisë, numrit të nxënësve, apo kushteve të tyre specifike.
Por sa mundësi kanë nxënësit në përgjithësi në të gjitha zonat që të mund të mbulojnë realizimin e mësimit nga shtëpia?
E ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Zamira Gjini, drejtoreshë e Politikave të Arsimit ka deklaruar se për të ndihmuar këtë proces janë shpërndarë rreth 15 mijë tableta.
“Gjatë muajve Mars-Maj, kur filloi mësimi online, ne na u desh të bënim një identifikim të atyre fëmijëve që ishin në kushte ekonomike jo të favorshme për të përdorur mësimin online dhe në bashkëpunim edhe me donatorë dhe kompani të bzinesit, filluam shpërndarjen dhe mundësimin e tabletave për këta nxënës. Kemi arritur të shpërndajme rreth 15 mijë deri në Dhjetor”
Pas kësaj deklarate ka ndërhyrë, Edlira Gjoni, pedagoge e njohur, e cila ka sjellë shembuj për të ilustruar kështu se familjet e varfra nuk mund të sigurojnë internet për fëmijët, për të vijuar mësimin online.
“Ka familje që marrin një ndihmë mujore prej 4000 lekësh, ndoënse mund t’i kenë marrë këto tableta, që të abonohen me internet, paketa minimale është 800 lekë të reja. Si do ta sigurojnë këtë, në qoftë se ai heq 800 lekë në muaj vetëm për internetin, i ngelen 3200 lekë për një familje me 5 persona. Në veri e prisnin sikur do binte qameti nëse do mbylleshin shkollat se nuk kanë mundësinë që edhe sikur t’ju japim tabletin, atyre ju mungon interneti”.
g.kosovari