Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në vijim të qëndrimit në Gjermani, u takua me kryetarin e Komisionit të Çështjeve të Brendshme në Bundestag, Ansgar Heveling, të cilin e njohu me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe veçanërisht reformat në fushën e zbatimit të ligjit, si masat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjatë takimit, Meta tha se Shqipëria është e vendosur në përmbushjen e të gjitha rekomandimeve që rrjedhin nga Progres-Raporti i Komisionit Evropian dhe po punon ngushtësisht me ekspertët ndërkombëtarë për përfundimin e reformës në fushën e drejtësisë.
Duke vlerësuar konsensusin e arritur për procesin e dekriminalizimit, kryeparlamentari shprehu vendosmërinë në vendosjen e standardeve më të larta për të gjithë përfaqësimin politik dhe të administratës publike, ndërsa evidentoi si tepër të rëndësishëm integritetin dhe profesionalizmin e të gjithë të zgjedhurve në çdo nivel dhe të administratës publike në tërësi.
Gjithashtu, Meta vlerësoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit të dy vendeve dhe theksoi se asistenca dhe mbështetja e Gjermanisë në këtë drejtim është tepër e rëndësishme.
Kreu i Kuvendit e njohu z. Heveling me masat e marra nga Shqipëria në kufizimin e fenomenit të azilkërkuesve dhe theksoi se duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë për punësim të ligjshëm të qytetarëve shqiptarë në Gjermani.
Kryetari i komisionit të Çështjeve të Brendshme në Bundestag theksoi se kriza e refugjatëve, veçanërisht fluksi i lartë i tyre nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme përfaqëson një sfidë të rëndësishme që kërkon angazhim, solidaritet dhe përpjekje të përbashkëta për përballimin e saj.
“Kjo krizë, vijoi Heveling, është dhe një mundësi më shumë për të treguar se jemi pranë njëri-tjetrit dhe për të rritur bashkëpunimin, pasi BE dhe partnerët e tij, përfshirë vendet e Ballkanit, duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar me njëri-tjetrin, duke ndarë përgjegjësitë dhe barrën e kësaj krize”.
Heveling vlerësoi rolin që Shqipëria luan si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Ai po ashtu vlerësoi bashkëpunimin mes komisioneve parlamentare të çështjeve të brendshme dhe të sigurisë të të dy vendeve, si dhe konfirmoi se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë, me ftesë të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë.