Tyson Fury kishte mbetur i dehidruar pas triumfit të shtunën në përballjen për tituj të botës në peshën e rëndë të boksit profesionist kundër Vladimir Klitschkos, pasi ishte frikësuar se mund t’i ofrohet ndonjë substancë e ndaluar nëpërmjet ujit në tentim për ta diskredituar.
Fury bëri një prej sensacioneve më të mëdha në histori të peshës së rëndë në boksin profesionist, duke i dhënë fund dominimit prej nëntë vjet e gjysmë të ukrainasit Klitschko. Ai fitoi përballjen për titujt WBA, IBF, WBO dhe IBO, tituj që i mbante Klitschko, përcjell Koha Ditore shkrimin e Daily Mail.
Pas triumfit Fury kishte refuzuar të pinte ujë në dhomën e zhveshjes, duke u frikësuar se mund të jetë i ndotur, pasi kishte pasur informata nga burime të mira se kjo mund të ndodhë.
“Pas meçit pata informatë nga një burim i mirë që mos të prek asgjë në dhomën e zhveshjes, pasi mund të më drogojnë. Njerëzit u munduan të më japin gjëra të ndryshme, mirëpo unë nuk pranova të marrë me përjashtim nëse vinte nga valixhja ime. E dija se nëse nuk pranoj ndonjë gjë atje, atëherë nuk ka gjasa të drogohem. Unë u ktheva në shtëpi i dehidruar para se të prekja ndonjë gjë, pasi isha i frikësuar se do të testohem dhe do të dështoja në test të dopingut, pasi ata do të mund të më jepnin ndonjë substancë. Gjithmonë duhet të jesh i kujdesshëm”, ka thënë boksieri britanik në konferencë për media në Bolton…