Nga Ben Andoni
Që një liri të jetë e efektshme, sipas sociologëve modernë, ajo duhet të jetë efikase për sjelljen e mëvonshme të atyre mbi të cilët është fituar një lloj pushteti. Problemi është nëse flasim për lirinë që prodhon një sistem, apo më ndryshe në rastin e Shqipërisë, që imponon pushteti i një partie, e cila si rregull zhbën gjithçka në një shtet si yni në interes të saj dhe strukturave kapilare të veta. Reagimi i opozitës dhe i pakënaqësisë së shumë njerëzve të saj është pothuaj i njëjtë: Rezistencë dhe kundërshtim për çdo gjë. Mëtimi: Nuk kemi hapësirën e nevojshme të lirisë apo të respektit të arsyes së veprimeve tona! Zbatimi i drejtpërdrejtë, i vullnetshëm, i zgjedhur lirisht i arsyes në veprimet tona përbën një opsion që është dhe do të mbetet i hapur vetëm për një pakicë të zgjedhurish, referon Weber. Por cilët janë të zgjedhurit, për të cilët liria është më e mundshmja. Bauman, tek “Liria”, preferon më mirë të referojë përcaktimin e kolegëve të tij Whimster dhe Lash, për këtë koncept sipas të cilëve: “Jo të gjithë njerëzit janë të aftë për ta ngritur veten deri te niveli i lartë intelektuale që kërkon arsyeja”. Kjo sepse sipas tyre vetëm disa njerëz i kanë cilësitë e nevojshme të mendjes dhe karakterit…Kuptohet sfida është për vende ku debati intelektual dhe përballja etike ka kanone dhe vlerësohet. Por sfida shkon edhe më tej, kur tashmë në lojë futet përcaktimi i Albrow, një mendimtari tjetër të njohur, referuar po te “Liria”: “Mjetet materiale për ta vënë në përdorim lirinë që ofron gjendja e racionalizuar janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë”…
Vendi ynë e përshfaqi më së miri në historinë e vet, këtë fakt, kur në kohët e para Luftës së Dytë Botërore, toka ishte pronë e fare pak latifondistëve, kurse në këtë kohë monopolizimi ka mbyllur udhën për një kapitalizëm masiv, që tek ne lë shumë për t’u dëshiruar sa i përket pronës dhe në transformimin që ende nuk ka ndodhur i plotë. E para nga respekti për rregullat e lojës dhe nderimi për shtetin, e dyta nga mungesa e një disiplinimi burokratik, që në rastin e Shqipërisë ka edhe burim antropologjik për shkak të marrëdhënies së dyzuar të individit tonë me shtetin dhe papërgjegjësitë e këtij të fundit para njerëzve të vet. Zogut, në periudhën e modernizimit të shtetit të tij, iu desh të luftojë deri me armë me banorët e Tiranës që nuk pranonin shpronësimet; periudhat e ndryshme të shtetit komunist patën një përballje aspak normale me njerëzit. Të kujtojmë periudhën e kolektivizimit dhe mënyrës për të mbyllur sytë para kësaj mase ekstreme të qeverisë, që nuk jepte fare rezultat; apo edhe më keq në kohët tona, kur shteti shpesh nuk i del për zot nëpërkëmbjes së qytetarit të thjeshtë. Për këtë të fundit rastet dhe shembujt nuk kanë të sosur, falë edhe informacionit të shpeshtë në media.
Në një farë mënyre, e gjitha do kishte një logjikë nëse do kishte një lloj disiplinimi burokratik me lirinë, pasi këto instrumente funksionojnë sëbashku, apo si e thotë sociologu i njohur Bauman: “Në një sistem racional, ato mund të ekzistojnë vetëm bashkërisht-kur liria mbahet në një arkë të siguruar mirë mbi çatinë e ngrehinës burokratike dhe të izoluar ndaj rrezikut të derdhjes, gjë që do të mund të shkaktonte shpërbërjen dhe rënien e ndërtesës. Por po të flasim për racionalitet të sistemit social, ai bën të mundur lirinë dhe racionalitetin e veprimit të drejtuesve dhe projektuesve të tij”.
Dhe, më tej akoma, edhe në liri ka paradokse pasi komunitetet janë të mbushura me shpresa praktikisht të pamundura për t’u përmbushur dhe, pasi shpresat e tyre zhgënjehen, kjo përcjell në fajësim të ndërsjellë apo si e përcakton sociologu i sipërpërmendur aq e fortë është kjo ndjesi saqë edhe te çifti kërkohet miratimi dhe “konfirmimi social“ i identitetit të vet individual….
Por që mbase duke u kthyer në shembullin tonë, ku sistemi i drejtësisë është ende i shkërmoqur dhe pa identitet dhe kur politika nuk respekton asnjë autoritet të pavarur mbase duket t’i kthehemi lirisë individuale, por me një ngarkesë të madhe të përgjegjësisë individuale. Paradoksi shqiptar është se sot, ai që përflitet, ai që akuzohet, madje edhe ai që provohet si fajtor ka shumë të drejtë që pak kohë më pas të nis një fushatë linçimi ndaj kujtdo, që ka qenë kundër tij ose të shfajësohet qetësisht para shoqërisë së paaftë.
Kur individi respekton lirinë, në aspektin total të fjalës, ka edhe një lloj përgjegjësie që të marrë vetë përsipër angazhime bashkë me pasojat. Është profetike ajo që ka thënë dikur poeti ynë i njohur Lazgush Poradeci, duke folur në shumës për poetët e vrarë: Ne i vramë ata!!! Sensi i lartë intelektual e bënte personalitetin e shquar të fliste si qenie që mbarte dhe përgjegjësinë e shtetit sepse vetëdija intelektuale prezupozon pikërisht këtë: Të jesh bashkëpërgjegjës për gjithçka që bën shteti yt.
Megjithatë të mos e teprojmë. Kjo është e largët dhe të mjafton mënyra sesi po përcillet debati politik ngado për Covid-19, si edhe mënyra e akuzës për të parë që shoqëria jonë nuk të beson, teksa ka ardhur koha që shoqërisë tonë i takon të jetë më pak makute dhe më empatike dhe mbi të gjitha të reagojë me forcë ndaj padrejtësisë, që tashmë mbulohet me një propagandë të frikshme. Të jetë reagim i vullnetshëm ndaj të keqes, frikës, vetmisë apo ndjesisë së shtypjes prej një pjese të pakët të shoqërisë, që posedon burimet bazë të pasurimit. Kjo lë vend për diskutim.
Për filozofët urrejtja ndaj shtypjes kundërpeshohet nga tmerri i vetmisë; pakënaqësia ndaj konfirmimit të imponuar neutralizohet nga ankthi që sjell përgjegjësia që nuk e ndan dot me të tjerët, sipas Bauman. Apo si e përcakton më mirë po ai: Pushteti vepron, si të thuash, me një “liri nga liria”; na lehtëson nga përgjegjësia e zgjedhjes-e cila është përherë e mundimshme dhe shpeshherë më e rrezikshme se çdo të dëshironim, por si në rastin e Shqipërisë, kur jo shpesh mendojmë se lirohemi, por për të na sunduar…sërish turpshëm. (Homo Albanicus)