Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Joe Biden thotë se administrata e tij do të bëjë krejt të kundërtën e asaj çfarë Trump ka bërë deri më tani. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara do të rikthehen në arenën globale, duke përmbysur moton “Amerika e Para”.
E kundërta e asaj çfarë Trump ka bërë deri më tani. Kjo është strategjia e Joe Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë për 4 vitet e ardhshme, siç pohoi ai në një intervistë për median amerikane NBC.
“Amerika do të marrë sërish rolin që ka pasur në Botë dhe do të jetë ndërtuese aleancash”.
Biden sqaron se administrata Trump e ka ndryshuar realitetin botëror, ndaj dhe presidenca e tij do të jetë krejt ndryshe nga ajo e Obamës, ku vetë ka qenë zv/president.
“Ky nuk është një mandat i tretë i Obamës, pasi ne do të përballemi me një botë krejt ndryshe. Presidenti Trump ndryshoi krejtësisht peizazhin, duke vënë “Amerikën të parën”, Amerikën të vetmen. Me këtë mënyrë i kemi trembur aleatët”.
Në 100 ditët e para të presidencës, Biden thotë se shpërndarja e vaksinës dhe mirëmenaxhimi i pandemisë që deri tani i ka marrë jetën 266 mijë amerikanëve do të jetë kryefjalë. Premton po ashtu se do të dërgojë në senat ligjin e ri për imigrantët që u jep shtetësinë amerikane 11 milionë të huajve pa dokumente. Ai shprehet se nuk do të shfrytëzojë Departamentin e Drejtësisë për të hapur hetime për Trump-in, mes të tjerave edhe për dyshimet për bashkëpunim me rusët.
/a.r