Politologu Afrim Krasniqi ka deklaruar në një intervistë me gazetën “Sot” se për lëvizjen e studentëve në dhjetor 1990 ka shumë kulte të rremë, sidomos për politikanët që kanë qenë në pushtet.
“Lëvizja e Dhjetorit ka një vlerë simbolike, me përjashtim të 1912 dhe 1920 në asnjë ngjarje tjetër historike nuk ka pasur më shumë përfaqësim dhe mendim elitar sesa në dhjetor 1990. Ishte një brez i ri, i ri në vizion, në mendime, në pritshmëri, në synime dhe në sjellje, që solli ndryshimin. Ka pasur emra studentësh të spikatur, por kanë qenë 500-600 prej tyre që në çdo ngjarje ishin aktivë dhe meritojnë nderim.
Nga pjesa tjetër, dihen emrat e politikanëve që iu bashkuan studentëve. Ishte një proces i pritshëm dhe nëse rikthehemi në kohë e njëjta gjë do të ndodhte 1000 herë. Bashkimi midis studentëve, grupit të pedagogëve që iu bashkuan atyre dhe pjesës më aktive të qytetarëve të Tiranës mundësoi suksesin e dhjetorit 90 dhe shkurtit 1991. Ka dritëhije, ka gjykime kritike, ka individë me bilanc jo vetëm bardh e zi, por këto janë gjëra që ndodhin në një mjedis aq konglomerat dhe të rastësishëm. Unë i ndjek të gjitha botimet e deklarimet që lidhen me Dhjetorin ’90, dhe, fatkeqësisht reflektohet e njëjta kulturë retushimi si në periudhën komuniste.
Krijohen kulte sidomos rreth politikanëve të radhës që na vijnë në pushtet dhe më pas nga grupe militante e shërbyese ndaj tyre lartësohen detaje rreth kulteve, shumica fiktive dhe shumica larg të vërtetës. Janë kulte që burojnë nga forca e pushtetit dhe që bien sapo bie pushteti. Të vërtetat gjenden në dokumentet e kohës, në pamjet filmike dhe në materialet e shumta arkivore, në raportet e medieve të huaja dhe në mediat e kohës, etj, dhe me siguri do të pasurohen me hapjen e plotë të arkivave”, thotë ai për Sot.
Krasniqi shprehet se Ramiz Alia tentoi të kontrollonte procesin pas rënies së komunizmit, duke pasur influencë edhe te individë të veçantë në PD, por nuk kishte kontroll mbi jetën politike të partisë.
“Ai kishte kontroll të plotë mbi PS dhe disa parti të vogla, siç ishin PA, PE, PUK, edhe PR, por nuk ka pasur asnjëherë kontroll mbi PD. Mund të influenconte individë të veçantë, është normale, ndodh edhe sot që shefa të PD apo PS të kenë njerëzit e tyre në partitë e kundërta, por nuk ka pasur kontroll mbi aktet politike, vendimmarrjen politike dhe procesin politik. Aq më tepër, nuk ka asnjë ndikim të tij mbi Lëvizjen Studentore, përkundrazi, përdori regjimin, njohjet, influencën për të ndërhyrë, por brenda 72 orësh u detyrua të pranojë pluralizmin, pra fillimin e fundit të tij politik e ideologjik. A ka pasur vetëdije qytetare? Nuk besoj! Shqipëria nuk kishte disidencë, nuk kishte grupe liberale, nuk kishte shtresime sociale, nuk kishte komunitete fetare, as sindikata”, thotë Krasniqi.
SOT