Kryetari i Partisë Demokratike i ka tërhequr “veshin” dje tre kandidatëve në garën zgjedhore për kryetarin e ri të Forumit Rinor, që të mos përmendin emrin e tij apo të zyrtarëve të tjerë të PD, tek strukturat rinore, si në mbështetje të njërit apo tjetrit kandidat. Sipas ‘Shqiptarja.com’ nga Konventa e FRPD-së në Elbasan, Basha i bëri thirrje të rinjve demokratë që të mos e votojnë atë kandidat që shkon përpara tyre me “favorin” e mbështetjes së kryetarit apo deputetit.
“Kush është qëndrimi i Partisë Demokratike në këtë garë? Çfarë mendoj unë, çfarë mendon Aureli, çfarë mendojnë drejtuesit e tjerë, çfarë mendojnë deputetët e tjerë? Nuk ka pikë rëndësie! Rëndësi ka vota juaj, rëndësi ka gjykimi juaj. Ndaj kushdo që pretendon të kundërtën nuk po ju thotë të vërtetën, e duke qenë se nuk po thotë të vërtetën nuk meriton asnjë sekondë të vëmendjes tuaj dhe aq më pak të votës tuaj”, u shpreh Basha.
Sipas ‘Shqiptarja.com’ kreu demokrat pranoi se ka patur jo pak herë momente tensioni mes kandidatëve, por theksoi ai, se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i FRPD është në dorë të anëtarësisë.
“Në këto 16 debate temperatura ka ardhur duke u ngritur, jo jashtë se jashtë është duke rënë, por në sallën e garave dhe jashtë sallave ku kandidatët dhe stafet e tyre janë përballur dhe përballen ethshëm. Kush e ka në dorë se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Forumit Rinor Demokrat? Ju e keni në dorë, gjithsecili prej jush e ka në dorë me votën tuaj e merrni këtë përgjegjësi, me votën tuaj e shkarkoni përgjegjësinë në kutitë e votimit dhe pastaj e kërkoni që të shkojë deri në fund”, tha Basha, duke shtuar se Partia Demokratike po kultivon traditën e votës së lirë. “Kjo është një traditë e bukur e moçme sa demokracia europiane, por është një traditë e cila akoma duhet të zërë rrënjë në Shqipërinë tonë”, tha Basha.