Presidenti i Republikës, Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Udhëheqësve Botërorë për Ndryshimet Klimatike të mbajtur në Paris, bënë homazhe në Bulevardin “Volter” për nder të viktimave të sulmeve terroriste të 13 nëntorit në sallën e koncerteve të Teatrit Bataclan.
Lajmi konfirmohet nga Presidenca, sipas së cilës Kreu i Shtetit shqiptar dhe Zonja e Parë pasi u pritën nga autoritet vendore të Bashkisë 11 të Parisit, vendosën një buqetë me lule dhe mbajtën një minutë heshtje në kujtim të viktimave të pafajshme, duke u solidarizuar me parizienët dhe mbarë qytetarët e Francës.
“Liria do të mbetet gjithmonë e shenjtë dhe padyshim bota e civilizuar do të shkojë gjithmonë e më përpara. Nderim të përjetshëm kujtimit të atyre viktimave, të cilët e jetonin jetën e tyre në lirë, e jetonin jetën e tyre ashti siç e dëshironin dhe besoj se Franca, Parisi dhe e gjithë bota e civilizuar do të vazhdojë ta jetojë jetën në liri dhe në civilizim të plotë.” – ka thënë Nishani.