Rudolf Scharping në ditarin e tij pasqyron ngjarjet e vjeshtës së vitit 1998 dhe të gjysmës së parë të vitit 1999 dhe gjithashtu shpjegon sfondin politik dhe diplomatik të misionit luftarak.
Nga Sylë Ukshini
Në mars të vitit 1999, NATO-ja vendosi të ndërhynte në luftën e Kosovës për të evituar spastrimin etnik, dëbimet dhe vrasjet masive të popullsisë shqiptare dhe për t’i dhënë fund luftës ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës, dhe ushtrisë serbo-jugosllave. Perëndimi synonte që përmes forcës ushtarake të detyronte qeverinë e Sllobodan Milosheviqit të tërhiqte ushtrinë, policinë dhe forcat paramilitare serbe nga Kosova. Pjesë e kësaj ndërhyrjeje ushtarake ishte edhe Republika Federale e Gjermanisë, që gjithashtu mori pjesë në sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë. Qeveria e kuqe-gjelbër vendosi të marrë këtë masë ushtarake duke iu referuar shkeljeve serbe të të drejtave të njeriut dhe fushatës së spastrimit etnik. Një vendim i vështirë. Në fund të fundit, jo vetëm që ishte në rrezik e ardhmja e rajonit të Ballkanit të mbingarkuar me kriza, por edhe vetë imazhi i Bundeswehrit dhe kështu i Republikës Federale të Gjermanisë.
Angazhimi i ushtarëve gjermanë në luftën e Kosovës ishte shprehje e procesit të ndryshimit, i cili pas ribashkimit të Gjermanisë ka ndodhur në mënyrë intensive. Për këtë zhvillim, sigurisht një rol kishte edhe ndryshimi i situatës politike ndërkombëtare pas përfundimit të konfliktit Lindje-Perëndim dhe rezulton nga kërkesat e ndryshme që vinin nga aleatët e Gjermanisë që të luajë një rol vendimtar. Kontributi ushtarak gjerman në operacionet e NATO-s, edhe pse nuk ishte i nivelit shumë të lartë, pjesëmarrja gjermane ishte e rëndësishme në kuptimin diplomatik dhe në ruajtjen e unitetit të shteteve anëtare të NATO-s në luftë kundër regjimit represiv të Beogradit.
Rudolf Scharping në ditarin e tij pasqyron ngjarjet e vjeshtës së vitit 1998 dhe të gjysmës së parë të vitit 1999 dhe gjithashtu shpjegon sfondin politik dhe diplomatik të misionit luftarak.
Rudolf Scharping, i lindur më 1947, ishte një politikan i njohur socialdemokrat gjerman, ndërsa në periudhën e luftës së Kosovës ai mbante postin e ministrit të Mbrojtjes dhe zëvendëskryetarit të SPD-së. Drejtoi Bundeswhrin gjatë pjesëmarrjes së parë ushtarake brenda Evropës që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Angazhimi i tij për misionin e të drejtave të njeriut në luftën e Kosovës dhe qëndrimi i tij i vendosur gjatë kësaj lufte, këtë socialdemokrat gjerman, kryeministrin e dikurshëm të Rheinland-Pfälz dhe kandidatin për kancelar të Gjermanisë e për Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, e bënë politikanin më të preferuar gjerman.
“Qindra-mijëra shqiptarë janë dëbuar prej shtëpive dhe fshatrave të tyre…”
Qysh para dhe gjatë Konferencës së Rambouillet, Millosheviqi po tentonte të krijonte fakte të kryera në Kosovë. Për të arritur këtë, do të shfrytëzonte ushtrinë dhe njësitë famëkeqe paramilitare serbe. Me këtë u dëshmua se garancitë e Millosheviqit për negociata të mëtejshme politike ishin plotësisht pa vlerë, duke pasur parasysh përgatitjet ushtarake në terren. Kundërshtimi i vendosur nga ana e tij e pranisë ndërkombëtare ushtarake në Kosovë ishte në përputhje me planin, i cili parashihte spastrimin ushtarak të Kosovës. Në Beograd, pra, dukej se ishte hartuar plani vendimtar dhe kjo nënkuptonte dëbimin përfundimtar të shqiptarëve të Kosovës dhe realizimin e doktrinës antishqiptare për serbizimin e saj.
“Qindra-mijëra shqiptarë janë dëbuar prej shtëpive dhe fshatrave të tyre nga policët serbë, burrat, gratë dhe fëmijët janë rrahur, torturuar dhe vrarë. Shtëpitë shqiptare janë plaçkitur dhe djegur, njerëzit si bagëti janë përzënë nëpër male dhe përgjatë shinave të hekurudhës. Për ditë me radhë ata nuk kanë asgjë për të ngrënë ose për të pirë, gratë shtatzëna shqiptare lindën fëmijët e tyre nën qiellin e hapur pa asgjë, të moshuarit dhe të dobëtit vdesin përgjatë rrugës. Në vendet fqinje me Kosovën ngrihen kampe të mëdha refugjatësh”, shkruan Scharping në ditarin e tij. “Imazhet e njerëzve të dëbuar dhe sekuencat televizive të trenave të stërmbushur me civilë shqiptarë të kujtonin skenat nga filmi i përndjekjes së hebrenjve ‘Lista e Shindlerit’, të pleqve që rrëzoheshin e nuk mbaheshin dot në këmbë, grave të moshuara, fëmijëve të uritur dhe të përvajshëm”.
Këto fakte dhe dëshmi që sjell ministri gjerman i Mbrojtjes në ditarin “Wir dürfen nich wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa” (Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa), janë konfirmuar dhjetë vjet më vonë edhe nga Tribunali i Hagës, duke përfshirë edhe dëbimin në masë, vrasjet, ndjekjet dhe shkatërrimin e pronës fetare – këto nuk ishin rezultat “i incidenteve të izoluara të kryera nga individë të rastësishëm”. E as nuk ishin këto veprime të policisë e ushtrisë të kthyera kundër forcave terroriste, siç pretendonte regjimi kriminal i Beogradit. Tribunali i Hagës po ashtu kishte gjetur se ato ishin të drejtuara kundër civilëve shqiptarë. Shablloni i zbatuar nëpër disa vendbanime të përcaktuara; armata serbe granatonte; banorët shqiptarë do të iknin; policia do të hynte me këmbësori, shpesh duke i djegur shtëpitë dhe duke i plaçkitur, e në shumë raste duke ekzekutuar burrat dhe djemtë më të rritur; dhe më pas do t’i dëbonin të gjithë në masë, duke i drejtuar nga kufiri në këmbë, vetura apo trena. Forcat serbe ua kishin marrë dokumentet e identifikimit dhe targat e regjistrimit para se të kalonin, me qëllim për t’ua bërë sa më të pamundur kthimin në Kosovë.
“Millosheviqi duket se kishte harruar se Evropa nuk jetonte më në vitin 1937…”
Siç shkruan edhe ish-ministri gjerman i Jashtëm, Joschka Fischer: “Politika e Milosheviqit, nga viti 1989, pothuajse deri në detaj ishte identike me pamfletin e nacionalistit radikal serb Vasa Çubriloviq, i cili u hartua në mars të vitit 1937 në Beograd. Por, Milosheviqi duket se kishte harruar se Evropa nuk jetonte më në vitin 1937, porse kishte arritur në vitin 1999 dhe se bazohej në vlera të tjera”.
Më 24 mars 1999, NATO ndërmori veprime ushtarake kundër dëbimit dhe gjenocidit në Kosovë: bombarduesit e NATO-s fluturojnë nga Italia dhe Gjermania për në Serbi dhe Mal të Zi, për herë të parë NATO-ja sulmon një shtet sovran dhe në këtë luftë është përfshirë edhe Bundeswehri gjerman. Në luftën e Kosovës për herë të parë mori pjesë edhe Gjermania në një operacion ushtarak në Evropë, pa qenë në konflikt apo edhe në luftë me Evropën. Kjo pjesëmarrje e trupave gjermane në luftën e Kosovës nënkuptonte thyerje të tabusë historike. Qeveria federale gjermane nuk e kishte të lehtë të marrë këtë vendim; së fundi, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, ushtarët gjermanë janë të angazhuar në aktivitete luftarake. Qëndrimi zyrtar i qeverisë gjermane ishte tejet i qartë për përgjegjësinë e Millosheviqit, si për fillimin, ashtu edhe për përfundimin e kësaj lufte.
“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim në vendosmërinë tonë për t’u dhënë fund vrasjeve në Kosovë. Qeveria në Beograd e ka vetë në dorë që t’i japë fund angazhimit të NATO-s, duke vendosur në favor të paqes”, kishte deklaruar kancelari gjerman dhe kryetari i Presidencës së BE-së, Gerhard Schröder, më 24 mars 1999, me rastin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe.
Sipas John G. Stoessinger, autor i librit “Why Nations Go to War”, katalizatori që përshpejtoi fillimin e fushatës së bombardimeve ajrore të NATO-s kundër Beogradit ishte i dyfishtë. Së pari, zbulimi i një numri masakrash të forcave serbe kundër shqiptarëve, duke përfshirë gratë dhe fëmijët, e shtynë NATO-n të merrte vendimin. Së dyti, fuqitë perëndimore zbuluan planin e përgjithshëm strategjik të Milosheviqit për të “zgjidhur” problemin shqiptar, i njohur si operacioni “Patkoi”.
Rudolf Scharping, i cili si ministër i Mbrojtjes ishte përgjegjës për këtë mision, bën një vështrim në shënimet e tij personale. Në librin e tij “Wir dürfen nich wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa” (Berlin 1999), ai pasqyron nismat politike dhe diplomatike, masat ushtarake dhe ndihmën humanitare në luftën e Kosovës. Nga ngjarjet dramatike në Kosovë nxjerr mësimet politike për një Politikë të Përbashkët Evropiane të Jashtme dhe të Sigurisë.
Në librin e tij mbi luftën në Kosovë, Rudolf Scharping kërkon të mos shikohet me indiferencë, të mos qëndrohet mënjanë, siç bëri Perëndimi më 1991-1995 përballë mizorive serbe gjatë shpërbërjes së Jugosllavinë për katër vjet me radhë. Thirrja nuk i drejtohet vetëm publikut. Kjo vlen për radhët e tyre brenda SPD-së, përfshirë shokët e vjetër të socialdemokracisë pacifiste me neveritjen e tyre fisnike për të gjithë ata që gjuajnë me forcë, derdhin gjak dhe hedhin bomba, dhe utopinë e mosdhunës në jetën e kombeve dhe një “botë shoqërore” vetërregulluese të përhapur nga partneri i koalicionit të gjelbër.
Shënimet e ditarit tregojnë se ministri gjerman i Mbrojtjes, i cili duhej të kishte frikë për ekipet e avionëve ushtarakë “Tornado” në luftime, ashtu si paraardhësi i tij Volker Rühe, në njëmbëdhjetë ditët e sulmeve ajrore të NATO-s në Bosnjë më 1995, ku fluturaket gjermane “Tornado-ECM” fluturuan për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Bosnjës, kaloi nëpër zjarrin e kësaj lufte me shpirt dhe kishte dhembshuri për të gjithë, përfshirë popullatën civile shqiptare në tokë.
Kjo referencë personale për luftën, për të cilën ai ishte përgjegjës si ministër dhe kryekomandant, i bën shënimet e Scharpingut një dëshmi të dobishme në një kohë të kthesës për shoqërinë gjermane të pasluftës botërore: një kthesë drejt “normalitetit” të detyrimeve për të vepruar në politikën ndërkombëtare, të cilën dikush nuk dëshironte ta pranonte për kaq gjatë dhe barrën e të cilave dikush ua linte aleatëve, të cilët më pas u qortuan për këtë.
Ditari i Scharpingut, vepër arti politiko-diplomatike
Ditari i Scharpingut është një vepër arti politiko-diplomatike, në të cilën boshllëqet japin një pasqyrë të caktuar të realitetit fragmentar të politikës së aleancës dhe luftës së koalicionit kundër regjimit të Milosheviqit, i cili nuk guxonte të arrijë sukses.
Qëllimi i Milosheviqit ishte që nëpërmjet valës së refugjatëve të provokonte kaos në Maqedoni dhe Shqipëri, për ta destabilizuar kështu rajonin. Instrumenti kryesor i udhëheqjes kriminale të luftës nga ana e tij ishte dëbimi i shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht në këtë periudhë, ashtu siç nënvizohet edhe në ditarin e Scharpingut, ky ishte një plan i koduar si “Patkoi” e i përgatitur nga kreu shtetëror serb. Për argumentet e Qeverisë Federale të Gjermanisë kishte vlerë, për shkak se trondiste tezën e dëbimit “spontan” të kosovarëve nga ana e forcave serbe të sigurisë, siç argumentohej atëbotë nga miqtë dhe përkrahësit e Millosheviqit. Duke u bazuar vetëm në këto informata publike, në të cilat kishin qasje të gjithë, konfirmohej se spastrimet etnike në Kosovë nuk ishin një reagim spontan i serbëve ndaj bombardimeve të NATO-s, por një aksion i cili ishte planifikuar qëmoti dhe me kujdes. Në përputhje me emrin e koduar të tij, Millosheviqi planifikonte t’i mbyllte shqiptarët brenda një plani “Patkoi” dhe pastaj t’i detyronte ata të iknin nga Kosova. Shkatërrimi i pasurisë së tyre dhe të gjitha dokumenteve të identifikimit do ta pamundësonte kthimin e tyre në Kosovë. Në këtë mënyrë, Kosova do të spastrohej nga shqiptarët me qëllim që të sigurohej “lebensraum” për kolonët serbë. “Adolf Eihman, njeriu i ngarkuar me dëbimin e hebrenjve gjatë regjimit nazist, ka gjasa ta kishte vlerësuar madhësinë e operacionit “Patkoi”, thotë Stroessinger, i cili në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore kishte ikur nga Austria e pushtuar prej nazistëve.
Rrëfimi dhe dëshmia e Scharpingut për planin “Patkoi” dhe fushatën e dëbimeve masive kanë një vlerë të veçantë dokumentare dhe historike. Ndërsa angazhimi gjerman shënon largimin nga një qëndrim moral që i ka irrituar aleatët për vite me radhë për të justifikuar një “politikë të përmbajtjes” gjermane (asnjëherë i lirë nga oportunizmi) në krizat dhe konfliktet ndërkombëtare. Qeveria e koalicionit kuq-gjelbër e sfidoi barrën e madhe të heqjes dorë nga politika e vetëpërmbajtjes, edhe pse opozita CDU-FDP nuk e ndihmoi veçanërisht në opsionin e angazhimet me trupa tokësorë dhe prandaj duhej përjashtuar ky opsion dhe Scharping e sprovoi veten ashtu si homologët e tij aleatë në Evropë. Ishte një përgjegjësi të cilën e mori përsipër qeveria e kancelarit Gerhard Schröder, e cila me qëndrimin e saj kontribuoi jo vetëm në stopimin e dëbimeve dhe vrasjeve masive në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit, por në të njëjtën kohë çimentoi kohezionin e NATO-s./Koha