Nga Alfred Peza
Pandemia globale megjithëse është një nga katastrofat më të rënda shëndetësore të 100 viteve të fundit, është e pafuqishme për të mbuluar qoftë edhe një krim njerëzor, sado i vogël qoftë ai. E jo më që tia dali për të mbuluar siç po mundohet Lulzim Basha sot, kufomat e masakrës së Krushës, ose një nga krimet më makabre të genocidit serb, ndaj shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës.
Përpjekja e Kryetarit të PD për të akuzuar pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa asnjë dëshmi, pas asnjë filmim dhe pa asnjë kasetë, autoritetet në Shqipëri se po fshehin një numër prej qindra të vdekurish nga Covid-19, është jo vetëm i kotë. Por edhe një provë se po mundohet të fshehë diçka, në lidhje me punën e tij në misionet ndërkombëtare faktmbledhëse, për krimet e viteve 1998-1999 në terren.
Nëse deri dje ky ishte një dyshim i arsyeshëm, bazuar mbi dëshmi e Melaim Bellanicës, njeriut që e dokumentoi ngjarjen, sot kemi shkuar përtej tij. Sepse Lulzim Basha ose duhet të provojë në mënyrë të pakundërshtueshme me emra, mbiemra dhe gjithçka tjetër, ekzistencën e viktimave të padeklaruara nga pandemia, ose duhet ti dali për zot kufomave të Krushës. Rrugë të mesme, duket se nuk ka.
Përndryshe ajo që po përpiqet të bëjë lideri i opozitë, është përpjekja për të përhapur një mashtrim të madh publik, me qëllimin për të mbuluar një tjetër. Ky është leksioni numër 1 që mëson çdo student shkencave të komunikimit. Aq më tepër sot në epokën e fake news-it kur, kur shqiptarët i kanë ende të freskëta historitë e “Babales”, të prodhuara nga SHQUP-i.
Për aq kohë sa PD nuk do paraqesë asnjë provë të besueshme për pretendimin e kryetarit të saj, çdokush ka gjithë të drejtën e botës të deklarojë se: Lulzim Basha po mundohet që të mbulojë të vërtetën, rreth akuzave që po i bëhen në lidhje me zhdukjen e kasetës origjinale të filmimit të masakrës së vitit 1999 në Kosovë, duke i hedhur përsipër një mal të ri me kufoma inekzistente, nga covid-19! E nëse është kështu, kjo është shumë e rëndë dhe PD e ka të garantuar prej tij që tani, humbjen në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Historia e politikës botërore dhe e liderëve të saj, është e mbushur me shembuj të ngjashëm. Joseph Goebbels, ministri i Propogandës së Adolf Hitlerit deklaronte se “nëse thua një gënjeshtër aq të madhe sa duhet dhe e përsërit atë aq shpesh sa duhet, e gjithë bota do ta besojë”.
Që është gënjeshtër e madhe, ajo që pretendon Lulzim Basha, nuk ka nevojë për ndonjë diskutim të stërholluar. Aq më tepër në një vend si ky yni, ku të gjithë i njohin të gjithë “me rrënjë e me dhëmballë” dhe të fshehësh kufoma, është si të fusësh kullën e sahatit në thes. Kështu që mos i bini më qafë kot, as infermierëve, as mjekëve, as punonjësve të morgut epo kujtdo institucioni që keni lakuar këto 24 orë.
Po a është gënjeshtra e Lulzim Bashës aq e madhe sa duhet, që të përmbushë përcaktimin e Goebels-it? Jo edhe aq. Sepse nuk duhet harruar, se kemi të bëjmë me një njeri për të cilin Ilir Meta thotë, se ai të gënjën edhe kur e pyet për orën. Mjafton që të mësosh se Sali Berisha pretendon sot një shifër tri here më të madhe se ajo e Lulzim Bashës, për të kuptuar se kemi të bëjmë jo vetëm me një gënjeshtër, por edhe të parakoduar mes tyre!
Megjithatë gënjeshtra, megjithëse po përsëritet e po përsëritet pa u ndalur për tu thënë “aq shpesh sa duhet”, përsëri nuk po ngjit. Ndaj e gjithë bota jo e jo, po as shqiptarët dhe as demokratët vetë, nuk e besojnë atë që thotë Lulzim Basha. Është për të qeshur e për të qarë, kur në vend të argumentave, propaganda e PD të thotë se ajo duhet besuar sepse… lideri i tyre është njeri serioz!
Këtë do ta besonim vërtetë edhe ne, nëse Lulzim Bashën do ta kishte marë seriozisht, mirë Monika Kryemadhi se është e zënë me zgjedhjet në LSI, por të paktën Ilir Meta. Mjafton ti hedhësh një sy aktiviteteve të Presidentit të Repulikës, që ka patur kohë të përkujtojë edhe 73 vjetorin e “vetvrasjes” së Nako Spirut, për të kuptuar sesa vlerë ka akuza e sot e kandidatit të tyre për Kryeministër për qindra “të vrarët” e padeklaruar.
Ndaj, është e kotë të përpiqesh të mbulosh kufomat e masakrës së Krushës, me kufomat imagjinare të Covid-19, të shpikura nga halli i madh që e ka zënë prej disa javës Lulzim Bashën. Sado që të mundohet ta vonojë, përmes këtyre manovrave qesharake, e vërteta e krimeve në Kosovë nuk do harrohet kurrë!