Kryeministri Edi Rama është takuar këtë të premte me ministrin e Jashtëm, Luigi Di Maio. Pjesë e diskutimit mes tyre ka qenë edhe pandemia e koronavirusit.
Rama tha se Italia është pranë vendit tonë për të garantuar që Shqipëria apo vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të mos ngelen mbrapa sa i përket marrjes së vaksinës.
“Sot ndajmë sëbashku eksperiencën e jashtëzakonshme që po sprovon gjithë botën, të përballjes me armikun e padukshëm, virusin Covid-19 dhe dëshiroj ministrin për gatishmërinë për të qenë i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës, për të cilën e gjithë bota është vënë në lëvizje dhe siç e kam shprehur më parë vendet po krijojnë edhe partneritete dhe Italia falë kësaj lidhje krejt të veçantë që ka me Shqipërinë, por falë edhe kryeministrit Conte dhe ministrit është pranë nesh në mënyrë që vendet e rajoni tonë të mos mbeten mbrapa në radhë të parë në garantimin e vaksinës për personelin mjekësor, por sipas radhës dhe në një kohë sa më të shpejtë, për mësuesit, forcat e policisë dhe për të gjithë popullin në vijim”, tha Rama.
Kreu i qeverisë falënderoi liderët dhe popullin italian për mbështetjen pas tërmetit të 26 Nëntorit të viti të kaluar. Gjithashtu, Rama u shpreh se Italia është mbështetëse e Shqipërisë në rrugën e saj drejt nisjes së negociatave. Falenderime të veçanta, kreu i qeverisë pati për Di Maion, të cilin e konsideroi një avokat të shkëlqyer të Shqipërisë në integrimin europian.
Edhe Di Maio u shpreh se Italia do të qëndrojnë gjithmonë pranë Shqipërisë sa i përket integrimit. Për luftën ndaj covid-19, ai tha se duhet një sforco e përbashkët. Rama dhe Di Maio firmosën marrëveshjen për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm.
/a.r