Nga Eduard Zaloshnja
Dje u shpallën ofertat e tetë firmave që synojnë të realizojnë identifikimin biometrik të votuesve të 25 prillit. Mesatarja e të tetë ofertave ishte rreth 20 milionë euro, që nuk do të lejojnë më votimin familjar për bijtë, bijat, nuset, dhëndurët, nipërit e mbesat në emigracion, si dhe votimin 2-3 herë nga i njëjti person.
Por çfarë efekti mund të kenë këto 20 milionë euro në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 25 prillit?
Në një analizë që kam botuar para disa muajsh (https://realstory.al/zaloshnja-permiresimet-me-te-rendesishme-ne-administrimin-e-zgjedhjeve/ ), llogarita me përafërsi se rreth 80 mijë vota në zgjedhjet e 2017-ës, me shumë gjasa, kanë qenë të bijve, bijave nuseve, dhëndurve, nipërve e mbesave në emigracion, të hedhura në kuti përmes votimit familjar në fshtatërat e vegjël anekënd Shqipërisë (kuptohet, disa pro PS-së e disa kundër saj). Sidoqoftë, vota popullore nuk përcakton sa mandate fiton një parti apo një tjetër në sistemin elektoral shqiptar. Përqindjet e partive në secilin nga 12 qarqet janë vendimtaret në përcaktimin e mandateve (PS-ja regjistroi vetëm 48.2% të votës popullore më 2017, por siguroi 74 mandate në Kuvend).
Me pak fjalë, 20 milionë eurot e shpenzuara për identifikimin biometrik, me gjasa të mëdha, do të kenë vetëm efekt rajonal. Nga rezultatet e zgjedhjeve të 2017-ës dhe zhvillimet e derisotme, duket se në qarqet nga Elbasani e poshtë, identifikimi biometrik do të ketë fare pak ndikim në mandatet e partisë në pushtet (PS-së). Vetëm në qarkun jugor Gjirokastër duket se do ketë një zhvillim demografik, jo biometrik. Këtij qarku do t’i pakësohet një mandat (si rezultat i pakësimit të shtetasve në regjistrat e gjendjes civile të qarkut). Dhe këtë mandat duket se do ta humbasë PS-ja, pavarsisht se mbetet partia e parë në atë qark.
Pikpyetjet fillojnë në qarqet mbi Elbasan.
Disa qindra vota fiktive emigrantësh në malsinë e Tiranës (që identifikimi biometrik do t’i eliminojë) mund t’i heqin PS-së një mandat në këtë qark.
Disa qindra vota fiktive emigrantësh në malësinë e Krujës (që identifikimi biometrik do t’i eliminojë) mund t’i heqin PS-së një mandat në qarkun Durrës.
Disa qindra vota fiktive në malësinë e Pukës (që identifikimi biometrik do t’i eliminojë) mund t’i heqin PS-së një mandat në qarkun Shkodër.
Disa qindra vota fiktive në malësinë e Mirditës (që identifikimi biometrik do t’i eliminojë) mund t’i heqin PS-së një mandat në qarkun Lezhë.
E njëjta gjë mund të ndodhë në qarkun Dibër, por jo prej identifikimit biometrik, por prej tkurrjes demografike (qarku Dibër do të ketë gjithsej 5 mandate, jo 6 si më parë). Ndërsa në qarkun Kukës, nuk mund të priten ndryshime, sepse gjithsej 3 mandate ka….
Duke përmbledhur sa më sipër, tabela më poshtë pasqyron PARAPRAKISHT efektin që mund të kenë 20 milionë eurot e identifikimit biometrik në mandatet e PS-së.
Tabela 1. Ndryshimet e mundshme të numrit të mandateve të PS-së prej identifikimit biometrik
QARQET | 2017 | 2021 |
Shkoder | 4 | 3+? |
Kukes | 1 | 1 |
Diber* | 2 | 1+? |
Lezhe | 3 | 2+? |
Durres | 8 | 7+? |
Tirane* | 18 | 18+? |
Elbasan | 7 | 7 |
Fier | 10 | 10 |
Berat | 4 | 4 |
Korçe | 6 | 6 |
Gjirokater* | 3 | 2 |
Vlore | 8 | 8 |
TOTAL | 74 | 69+? |
*SHËNIM: Për shkak të ndryshimeve demografike, Dibra do të ketë 5 nga 6 mandate që kishte, Gjirokastra 4 nga 5 që kishte dhe Tirana 36 nga 34 që kishte.