Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me tritol i ndodhur mbrëmjen e djeshme në derën e lokalit të Hana Fojletës në qytetin e Shkodrës.
Në polici deri më tani janë marrë në pyetje 6 persona në lidhje me këtë ngjarje, mes tyre edhe djali i pronares, Aleksandër Foljeta, i cili në gusht ishte përfshirë në një plagosje me thikë.
Tre muaj më parë, djali i 46 vjeçares ka plagosur lehtë me thikë dy persona. Edhe pse u arrestua për këtë ngjarje, më pas djali i pronares u la i lirë.
Në pyetje janë marrë edhe dy personat me të cilët ai ka pasur konfliktin në gusht.
Nuk dihet nëse shpërthimi ka lidhje me këtë ngjarje, por policia vijon hetimet për zbardhjen e saj.
Nga shpërthimi me tritol ditën e djeshme ka pasur dëme të shumta materiale. Ende nuk dihen identitetet e personave të shoqëruar, por dyshohet se ata kanë marrë pjesë ose kanë dijeni në lidhje me tritolin që iu vendos lokalit në pronësi të 46-vjeçares, Hana Foleta.
Ajo çfarë e ka bërë të vështirë punën e hetuesve është fakti se lokali nuk ka kamera siogurie dhe për rrjedhojë, nuk ka pamje filmike që mund tu vijnë në ndihmë për të zbardhur autorët. Gjithsesi, do të sekuestrohen kamerat e sigurisë së bizneseve të tjera rrotull këtij lokali.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, shumë pak metra lart komisariatit të policisë së Shkodrës, detaj që nuk u bëri përshtypje autorëve.
g.kosovari