Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i bëri thirrje qytetarëve të infektuar me Covid që ti drejtohen mjekut të familjes dhe më pas këta të fundit do të bëjnë vlerësimin e tyre nëse duhet të shkojnë në spital apo të trajtohen në kushte shtëpie.
Ministrja bëri një apel për të gjithë që të mos marrin receta më Whatsapp dhe as të shkojnë tek mjekët që nuk e njohin problematikën.
“Është e rëndësishme që të ndiqen pacientët, por edhe rastet e dyshuara. Një thirrje për qytetarët që të komunikojnë me mjekuan e familjes dhe të ndiqeni nga mjeku dhe të merrni terapinë e mjekimit nëse keni nevojë.
1.2 mld lekë janë vendosur në buxhetin e shtetit për të mbështetur qytetarët e prekur. Kjo është një mbështetje më shumë në mënyre që të kemi mundësi të lehtësojmë ato pagesa që vijnë nga buxhetet familjare.
Nuk vlejnë recetat e Whatsapp, nuk vlen të shkosh tek mjekët që nuk e njohin problematikën. Ne na duhet të punojmë më shumë me qytetarët për të patuar besimin tek mjeku i familjes”, tha Manastirliu.
Gjatë takimit me mjekë në qendrën shëndetësore nr. 4 në Tiranë, Ministrja Manastirliu tha se buxheti 2021 ka një financim historik për Shëndetësinë, me rritje 23 % më shumë se vitin 2020.
“Siç jeni në dijeni, dje, Kuvendi miratoi buxhetin për vitin 2021. Me miratimin e buxhetit për vitin tjetër, sektori shëndetësor do të ketë një financim historik, 23 % më shumë se viti 2020. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë financiojmë me këtë? E para, financojmë 40% rritjen e pagave për të gjithë mjekët, infermierët, personelin tonë shëndetësor kudo në Shqipëri, në çdo sistem, parësor apo spitalor. Dhe kjo është me të vërtetë një mbështetje reale për punën e madhe që bëjnë mjekët dhe personeli shëndetësor dhe mbi të gjitha, financojmë mbështetjen për qytetarët qoftë për trajtimin e COVID19 por edhe patologjitë e tjera si dhe investimet për rritjen e kapaciteteve”,tha Manastirliu.
Në kuadër të planit për përballimin e situatës vjeshtë-dimrin, Ministrja Manastirliu theksoi se po vijon vaksinimi ndaj gripit për të gjitha kategoritë e rrezikuara, sipas planifikimi të Instituit të Shëndetit Publik. “Pas vaksinimit të personelit shëndetësor, vijon vaksinimi për grupet e rrezikuara, sipas kalendarit nga Instituti i Shëndetit Publik”, u shpreh ajo.
g.kosovari