Deputeti i opozitës së re, Andi Përmeti është infektuar nga koronavirusi. Mësohet se prej disa ditësh deputeti i Kuvendit të Shqipërisë është dërguar në Turqi për kurime më të specializuara. Mësohet se Përmeti ka patur probleme serioze me frymëmarrjen gjatë qëndrimit në Spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe për këtë arsye ai është dërguar në Turqi.
Burime të Panorama.al bëjnë me dije se deputeti Andi Përmeti është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe po kurohet në repartin e terapisë intensive në spitalin turk.
Ndërkohë që këtë e ka konfirmuar edhe nga foltorja e Kuvendit, deputetja Rudina Hajdari, e cila i ka uruar shërim të shpejtë kolegut, që sipas saj po kalon një periudhë të vështirë.
“Në radhë të parë më lejoni ti uroj kolegut tonë Andi Përmeti shërim sa më të shpejtë. Përmeti ka qenë i prekur nga Covid dhe po kalon një periudhë të vështirë.
Në emër të kolegëve tanë të opozitës parlamentare i urojmë shërim të shpejtë dhe mezi presim të rikthehet këtu në sallë”, tha Hajdari.
Andi Përmeti është 33-vjeç dhe ai ka hyrë në Parlament si pjesë e listave të Partisë Demokratike.