SpaceX, kompania e raketave të teknologjisë së lartë e sipërmarrësit Elon Musk, nisi të dielën me sukses katër astronautë drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, misioni i parë i plotë i NASA-s për dërgimin e një ekuipazhi në orbitë në bordin e një anijeje private.
Kapsula e re e kompanisë, Crew Dragon, e instaluar në majë të raketës Falcon-9, u nis në orën 19:27 sipas orës lokale nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Cape Canaveral të Floridës. Udhëtimi prej 27 orësh për në stacionin hapësinor, 400 km mbi Tokë, ishte planifikuar fillimisht për të shtunën.
Por nisja u shty një ditë për shkak të motit me erë dhe me shi, në vazhdën e Stuhisë Tropikale Eta. Zyrtarët e NASA-s thanë se moti i keq do ta kishte vështirësuar rikthimin e raketës Falcon-9 në tokë për t’u ripërdorur. NASA po e quan fluturimin e tanishëm si misioni i saj i parë “operacional” me një raketë dhe sistem për të cilët u deshën 10 vjet të ndërtoheshin.
Një fluturim provë i Crew Dragon në muajin gusht, me vetëm dy astronautë për në stacionin e hapësirës, shënoi për NASA-n misionin e parë hapësinor me njerëz të nisur nga territori amerikan pas një pauze prej 9 vjetësh.